Ilirian Feçi ka dëshmuar këtë të martë në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) për vjedhjen e kryer me dhunë të argjendarit Lirak Bajraktari në shkurt të vitit 2011 në Elbasan.
Feçi zbuloi se grabitja ishte bërë nga ai, Talo Çela dhe Dashnor Dumani, por përjashtoi që të kishte marrë pjesë Gentian Sharra. I pyetur nga avokati Sokol Hazizaj, ai ka rrëfyer se nuk kanë qenë të armatosur, ndërsa vetëm Dashnor Dumani ka pasur një levë. I pyetur se si i dinin lëvizjet e argjendarit, të cilit arritën t’i merrnin një çantë me bizhuteri e flori, ai tregoi se vajza me të cilën kishte qenë i fejuar shiste shpesh bixhuteri apo diamante që ai i blinte.
“Është shumë e vjetër historia. Unë kam qenë i fejuar me një vajzë nga Belshi. Unë i kam dërguar shpesh bizhuteri dhe diamante. Ajo shpesh i ka shitur tek Liraku. Por ai, shpesh here as peshën nuk ia llogariste mire dhe as vlerën e gurëve. Ka pamje nga tre kamera sigurie, ato të një banke, ato të një shtëpie private dhe ato të shtëpisë së Lirak Bajraktarit.”, ka theksuar ai.
Pjesë nga biseda:
Avokati Sokol Hazizaj (për Sharrën): E mban mend ngjarjen?
Ilirian Feçi: Po. Kemi qenë 3 persona, Talo Çela, Dashnor Dumani dhe unë. Talo ka pasur makinën. Na ka kapur një pamje kamere e një banke dhe një shtëpie private.
Hazizaj: Keni qenë të armatosur?
Ilirian Feçi: Unë jo. As Talo. Dashnori ka pasur një levë. Talon e njoh herët, që në Itali. Me Dashnor Dumanin jam njohur në 2010-2011.
Hazizaj: Çfarë ndodhi atë ditë?
Ilirian Feçi: U nisa nga shtëpia ime. Shkova mora Dashnorin tek Nish-Tulla. Shkuam drejt Elbasanit, mora Talon dhe shkuam tek shtëpia e Lirak Bajraktarit. Kemi vjedhur një çantë me bizhuteri e flori. Duket nga kamerat e shtëpisë e gjithë ngjarja.
Hazizaj: Nga e morët vesh lëvizjet e Lirak Bajraktarit?
Ilirian Feçi: Është shumë e vjetër historia. Unë kam qenë i fejuar me një vajzë nga Belshi. Unë i kam dërguar shpesh bizhuteri dhe diamante. Ajo shpesh i ka shitur tek Liraku. Por ai, shpesh here as peshën nuk ia llogariste mire dhe as vlerën e gurëve. Ka pamje nga tre kamera sigurie, ato të një banke, ato të një shtëpie private dhe ato të shtëpisë së Lirak Bajraktarit.
Hazizaj: E nderuar gjykatë, ne në dosje kemi vetëm pamjet e një kamere sigurie. Lutem, që të administrohen edhe pamjet e 2 kamerave të tjera. Ne i kemi në USB, por janë prova në një procedim penal tjetër të ish-prokurorisë për Krimet e Rënda.


