Policia e Tiranës ka goditur një grup të dyshuar për grabitje me dhunë ndaj grave kalimtare, ndërsa bizhuteritë e vjedhura përfundonin në një dyqan, ku shiteshin për përfitime të paligjshme.
Operacioni u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Nr. 3, të cilët arrestuan në flagrancë tre persona: U. G., 18 vjeç, S. S., 20 vjeç, dhe R. H., 38 vjeç, pronar dyqani, të gjithë banues në Tiranë.
Sipas Policisë, dy të rinjtë U. G. dhe S. S., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, grabitën me dhunë një grua, duke i këputur nga qafa një varëse floriri, të cilën më pas e shitën në dyqanin e 38-vjeçarit R. H.
Zbardhja e rastit erdhi menjëherë pas një denoncimi, ndërsa hetimet janë në vijim për të verifikuar nëse autorët janë të përfshirë edhe në ngjarje të tjera të ngjashme, në Tiranë apo në qytete të tjera.
Po krahasohen gjurmët e gishtërinjve dhe po analizohen të dhënat për të zbardhur plotësisht veprimtarinë kriminale të këtij grupi.