Zbardhen detaje të reja lidhur me operacionin e SPAK këtë të shtunë në Vlorë, ku u godit grupi kriminal i Inez Hajrullës. Në total, SPAK lëshoi 8 urdhër arreste për anëtarët e grupit kriminal të të fortit të Vlorës.
Përveç vrasjes së Gentian Qarrit, ngjarje kjo e ndodhur 5 vite më parë, Inez Hajrulla dhe krahu i djathtë i tij, Ervis Matodashaj rezultojnë të përfshirë edhe në ekzekutimin e Bledar Birçajt, i vrarë në Vlorë në 10 maj 2021.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se ata janë zbuluar nga bisedat në SkyEcc dhe akuzohen për sigurim kushtesh për vrasjen e Birçajt. Ndërkohë, vijojnë hetimet për identifikimin e të gjithë personave që kanë marrë pjesë në planifikimin dhe ekzekutimin e biznesmenit nga Vlora.
8 urdhër arrestet e lëshuara nga SPAK:
Inez Hajrulla – arrest me burg – akuzë për vrasjen e Gentian Qarrit
Ervis Matodashaj – arrest me burg – akuzë për vrasjen e Gentian Qarrit
Flodian Plaku, i njohur si Pole Qorri – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Hamëz Demushi – ish-punonjës policie – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Argest Xheza – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Arben Memishaj – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Mendu Duka – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Rezart Kuci – akuzë për shpërdorim detyre, trafik droge dhe grup kriminal
Grupi i Inez Hajrullës akuzohet edhe për vrasjen e Gentian Qarrit, ngjarje e ndodhur në vitin 2021. Hajrulla dhe Matodashaj i kanë shpëtuar arrestimit, ndërkohë që nga personat e tjerë për të cilët SPAK lëshoi urdhër arrest , dy prej tyre rezultojnë të arrestuar më herët në Itali, ndërsa një tjetër është ndaluar në Janinë të Greqisë, raportoi gazetarja Klodiana Lala.
Punonjësi i policisë Rezart Kuçi, shef seksioni në policisë shkencore në Kukës, ra në pranga për 3 vepra të rënda penale, shpërdorim të detyrës, trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Vrasja e Gentian Qarrit
Ekzekutimi i Gentian Qarri ndodhi mbrëmjen e 6 shkurtit 2021 në Vlorë. Sipas hetimeve, autorët qëndruan për rreth 10 minuta në rrugë duke pritur momentin që Qarri të dilte nga një gomisteri pranë dhe të shkonte drejt një lokali. Nga pamjet filmike të sekuestruara nga Prokuroria e Vlorës rezultoi se autorët ndodheshin në një automjet tip Toyota Yaris. Sapo Qarri është shfaqur, ndaj tij është qëlluar me breshëri automatiku nga brenda automjetit në lëvizje. Në total u qëlluan rreth 20 plumba, nga të cilët 6 e goditën në trup. Qarri ishte kthyer në Vlorë rreth tre vite para ngjarjes, pasi kishte vuajtur dënimin në Itali me 11 vite burg për trafik droge.
Vrasja e Bledar Birçaj
Bledar Birçaj, 40 vjeç, u vra në një atentat të organizuar në Vlorë në vitin 2021, në zonën e njohur si Bishti i Kalldrëmit. Ai u qëllua me mbi 30 plumba teksa ndodhej në automjetin e tij tip BMË X5, ku 7 prej tyre i shkaktuan vdekjen. Birçaj kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Spanjë dhe pista kryesore e hetimeve lidhej me përplasjet mes grupeve kriminale për trafik droge.
Emri i tij ishte i njohur për policinë. Në vitin 2011 ai ishte arrestuar në Vlorë si i dyshuar për vrasje, ndërsa më herët, në vitin 2010, ishte proceduar penalisht pasi bashkë me vëllanë e tij akuzohej për dhunimin e një juristi të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Birçaj ishte gjithashtu pronar i një lokali në Vlorë.


