Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni policor “Picalla”, ku u godit një bazë e dyshuar armatimi në periferi të Tiranës.
Sipas burimeve të gazetares Xhensila Kodra, agjentët e Komisariatit Nr. 1 kishin siguruar informacion se shtetasi Oltjan Qershori posedonte një armë zjarri pa leje dhe po e mbante në banesën e tij në fshatin Picallë. Mbi këtë bazë, policia organizoi ndërhyrjen.
Kur forcat kanë mbërritur në zonë, i dyshuari ka konstatuar mjetet e policisë dhe është larguar me vrap, duke u shmangur arrestimit. Në banesë ka mbetur vetëm nëna e tij, e cila fillimisht ka deklaruar se armët nuk i përkisnin familjes.
Gjatë kontrollit, policia ka zbuluar një arsenal të madh armësh dhe municionesh, përfshirë automatikë, pistoleta, municion luftarak dhe pajisje të tjera të dyshuara për përdorim kriminal.
Nga të dhënat paraprake, rezulton se Oltjan Qershori ka qenë më herët pjesë e Forcave të Armatosura, por është përjashtuar disa vite më parë për shkelje disiplinore dhe sjellje të papërshtatshme.
Megjithëse nuk rezulton me precedent penal të mëparshëm, dyshimet e hetuesve janë se ai mund të ketë bashkëpunuar me grupe kriminale për shpërndarjen dhe shitjen e armëve.
Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa arsenali i sekuestruar po i nënshtrohet ekspertizës.


