Një konflikt i çastit për një vend parkimi një natë më parë në Ksamil ka përfunduar me dhunë fizike dhe një të plagosur, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Sarandës, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë arrestuar shtetasin turk H. D., 26 vjeç, me banim të përkohshëm në Prishtinë. Ai akuzohet se më datë 06.06.2025, rreth orës 21:15, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte shtetasin A. M., 54 vjeç, banues në Ksamil. Si pasojë e goditjes, A. M. ka pësuar dëmtime në kokë dhe është transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Po ashtu, policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe disa persona të tjerë të përfshirë në konflikt: B. M., 50 vjeç; Sh. M., 42 vjeç; vetë i dëmtuari A. M.; si dhe shtetasi turk A. B., 26 vjeç.
Materialet procedurale janë referuar tashmë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ndërkohë që hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.