Gjykata e Korçës ka vendosur në burg 31-vjeçarin Ilirjan Selmani, i akuzuar për vrasjen e të dashurës së tij, 52-vjeçares Kozeta Teço, si dhe për vënien e zjarrit në banesën e saj në Pogradec, në përpjekje për të fshehur krimin.
Selmani akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, sipas nenit 79/c të Kodit Penal.
Sipas dëshmisë së dhënë në polici, 31-vjeçari ka pranuar se marrëdhënia me viktimën ishte përkeqësuar kohët e fundit, pasi sipas tij, Kozeta Teço vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe ushtronte dhunë ndaj tij. “E doja, nuk më bënte përshtypje mosha. Ajo shpesh dehej dhe më godiste, por e duroja sepse e doja. Pastaj nuk durova dot më,” ka deklaruar Selmani.
Hetimet kanë nxjerrë në dritë se çiftit i kishte zgjatur lidhja intime për tre vite. Ngjarja u raportua fillimisht si aksidentale, me dyshimin se viktima kishte humbur jetën nga asfiksia gjatë zjarrit në banesë. Por ekzaminimi i trupit të pajetë ka zbuluar plagë të shkaktuara me thikë.
Nga pamjet filmike të siguruara, është bërë i mundur identifikimi i autorit, i cili dyshohet se ka kryer vrasjen dhe më pas ka vënë zjarrin për të fshirë gjurmët. Pas krimit, Selmani është larguar nga vendngjarja rreth orës 05:00.
Dëshmia e nënës së të riut
Në një deklaratë jashtë kamerave, Sanie Selmani, nëna e 31-vjeçarit, mohoi përfshirjen e djalit të saj në vrasje. Ajo tha se në mëngjesin e ngjarjes, Selmani ishte kthyer nga Korça dhe kishte shkuar tek dera e viktimës për të hedhur mbeturinat, një rutinë që sipas saj ai e kryente për shkak se viktima nuk mund të lëvizte.
“Nuk e ka bërë ai këtë vrasje, nuk ka prova. Nuk ishim dakord për lidhjen, por ai nuk ka pranuar që të ndahen,” tha ajo. Sipas nënës, djali i saj është i njohur si njeri pa probleme dhe vuante nga një sëmundje e zemrës. Ajo kërkoi nga policia që të zbardhë të vërtetën dhe kritikon lajmet që sipas saj janë të pavërteta.