Greqi- Policia greke ka goditur një rrjet të gjerë të kontrabandës së karburanteve, duke kryer 22 arrestime deri tani në të gjithë vendin, teksa fijet shkojnë deri në Rumani dhe Bullgari.
Policia ka identifikuar një zonë magazinimi në Sindos për transferimin e karburantit nga Rumania, i cili më pas trafikohej ilegalisht, madje duke kryer edhe falsifikime të dhënash dhe markimi. Duke manipuluar sistemin elektronik të pompës, ata shkarkonin në depozitat e makinave më pak karburant nga çfarë paguhej
Sipas të njëjtit informacion, rrjeti përdorte tretës të sjellë nga Bullgaria dhe Rumania për të falsifikuar karburantin dhe për ta kanalizuar atë në stacionet e benzinës, që i përkisnin po rrjetit kriminal.
Nga arrestimet, shumica (13) janë kryer në Atikë, ndërsa policia ka prangosur gjithashtu një person në Volos, dy në Trikala, tre në Selanik, dy në Igumenicë dhe një në Spartë.
Gjatë operacioneve, oficerët e policisë gjetën dhe konfiskuan gjithashtu qindra mijëra euro.
Siç raporton “Protothema.gr”, të arrestuarit pritet të akuzohen për kontrabandë karburanti, evazion fiskal dhe mashtrim të shoferëve, duke i mbushur makinat e tyre me më pak karburant nga sa tregohej në pompat e benzinës.
Sipas të njëjtit informacion, në disa nga stacionet e benzinës të inspektuara u zbuluan softuerë që ndërhynin në sistemet hyrëse-dalëse.