Sot (1 korrik) zhvillohet seanca e radhës gjyqësore për Leonard Dukën dhe të pandehurit të tjerë që akuzohen për atentatin mafioz ndaj Santiago Malkos, krim i ndodhur më 27 Gusht të vitit 2019 në Tiranë.
Në seancë ndodhet edhe babai i Leonard Dukës, Muhamet Duka i cili dëshmoi për të birin e tij.
I ati u distancua nga konfliktet që djali i tij ka pasur, teksa tha se “Leonardi ka patur punët e veta, me biznesin e tij, me këto lojërat e fatit. Nuk e di me kë bashkëpunonte, nuk i jam përzier në punët e tij ata janë të rritur”.
Leonard Duka dhe Santiago Malko ishin miq me njëri-tjetrin, por dyshohet se shoqëria e tyre u prish pasi ish-polici i dhunoi babain. Lidhur me këtë Muhamet Duka tha se nuk e njihte shoqërinë e djemve të tij, duke mohuar në këtë mënyrë pistën e konfliktit të tij me viktimën, Santiago Malko.
“Shoqërinë e djemve nuk më ka rënë rasti ti njoh, unë merresha me tregti me biznesin tim, kam patur një lokal timin te Fresku, punoja unë dhe nusja. Tani jam në pension. Unë jetoj me bashkëshorten, ata jetonin vetëm me njëri-tjetrin. Ata rrinin me qera, nuk kam pas shkuar te ata, unë rrija në Fresk, ata vinin te ne.
Unë i kam pas ndihmuar kur kanë qenë të vegjël kur u rritën filluan jetën e tyre. Kanë qenë të qetë, s’më ka trokitur njeri në derë. Nuk di asnjë gjë për shoqërinë e tyre. Në asnjë mënyrë nuk më ka ndaluar njeri në rrugë.
Gjithashtu Muhamet Duka tha se nuk e ka njohur kurrë Ervis Martinajn.
“Ervis Martinajn e kam dëgjuar, as e njoh as e kam parë asnjëherë, në media e kam dëgjuar”, tha Muhamet Duka.
Kujtojmë se në dëshminë e bërë në GJKKO më 24 tetor 2024 Leonard Duka, ka mohuar akuzat se qëndron pas vrasjes së ish-policit Santiago Malko, krim i ndodhur më 27 Gusht të vitit 2019 në Tiranë.
Leonard Duka ka mohuar gjithashtu që babai i tij të jetë dhunuar apo fyer, duke theksuar se “nuk kemi pasur asnjëherë konflikt, as unë dhe as familja ime”.
Ai ka thënë se shok i tyre i përbashkët ishte Ervis Martinaj dhe se para ekzekutimit të Santiago Malkos kishin 3 vite pa u takuar.
“E kam pasur shokë prej 15 vjetësh, jemi ndarë në 2017, secili në punën e vet. Por e kam ruajtur respektin për të”, tha Duka teksa theksoi se “kur e kam takuar s’ishim vetëm, por kemi qenë me miq të përbashkët”.
DOSJA HETIMORE
Leonard Duka dhe Ervis Martinaj kanë pasur shoqëri prej rreth 15 vitesh me njëri-tjetrin dhe kanë bashkëpunuar me qëllim zhvillimin e biznesit në fushën e lojrave të fatit si dhe në administrimin e bizneseve të llojit, hotele, lokale në zonën e ish-Bllokut dhe të tjera të Tiranës.
Po kështu këta dy shtetas kanë bashkëpunuar edhe me qëllim zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të trafikut të narkotikëve me qëllim përfitimi.
Por duket se kjo shoqëri mori fund pasi dhunimit që Santiago Malko, miku i Ervis Martinaj, i bëri babait të Leonard Dukës.
Duka që mesa duket nuk ia fali Malkos, këtë poshtërim.
Por organizoi vrasjen e tij, që nuk vonoi.
Dosja Hetimore
Konflikti midis Dukës dhe Martinaj ka nisur për shkak të një debati që Leonard Duka ka pasur me Santiago Malkon, shtetasin e vrarë me datë 27 Gusht 2019 në Tiranë.
I cili rezulton se ka dhunuar babain e Leonardit, shtetasin Muhamed Duka.
Santiago Malko që dyshohet se ishte i përfshirë në aktivitete të paligjshme ne fushën e trafikimit të narkotikëve dhe krimeve kundër jetës ishte lidhje e ngushtë e Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasit.
Pikërisht pas vrasjes së Santiago Malkos, Ervis Martinaj bën përgjegjës për ekzekutimin e mikut të tij Leonard Dukën dhe lidhjet e tij.
Nga ku Martinaj fillon të investohet për të vrarë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka dhe lidhjet e tyre shoqërore.
Ndërkohë që nga krahu tjetër këta persona investohen për të vrarë Ervis Martinajn, Erigers Mihasin dhe njohjet e tyre.
Dosja Hetimore
Nga analizimi i komunikimeve del se Fatmir Hyseni shfaqet si një person me eksperiencë në fushën e krimeve kundër jetës dhe është i angazhuar në mënyrë konstante për lokalizimin dhe vrasjen e Ervis Martinaj dhe lidhjeve të tij.
Më datë 10 Korrik 2020, Leonard Duka ka siguruar një informacion që Ervis Martinaj mund të jetë në plazh me një femër në Dhërmi tek një vend i njohur si ‘Vin Bakalli’.
Për këtë arsye ka njoftuar Fatmir Hysenin.
Dhe ky i fundit ka dërguar një person që i drejtohet me emrin ‘nipçe’ për të verifikuar këtë informacion.
Por ndërkohë që Ervis Martinaj po përgatitej të fuste në kurth Leonard Dukën, ky i fundit mëson për planin e kundërshtarit të tij.
Dhe organizohet ta zerë në befasi atë që deri dje ishte miku i tij. Por që tani ishte armiku më i betuar.
Dosja Hetimore
Në periudhën kohore duke filluar nga data 1 Gusht 2020 dhe në vazhdimësi Leonard Duka ka siguruar informacion që Ervis Martinaj ka angazhuar disa femra me qëllim për t’i afruar pranë tij që ta nxirrnin në pritë.
Për këtë arsye Leonard Duka njofton Fatmir Hysenin i cili angazhohet për planifikimin e vrasjes së personave që do të afrohen për të vrarë Leonardin.
Në këtë plan kanë marrë pjesë të gjithë pjesëtarët e grupit të drejtuar nga Leonard Duka ku ky i fundit do të luante rolin e ‘karremit’ i cili do të takohej me këto femra në një vend ku terreni është i njohur mirë nga ai vetë dhe lidhjet e tij.
Por vajzat nga Shkodra nuk erdhën në takim, dhe kështu plani duket se dështoi.
Ndërkohë që grupi i Leonard Dukës, mësoi se personi që do i fuste ata në kurth ishte Erigers Mihasi.
Edhe ky i vrarë në një atentat në Tiranë, disa kohë më pas.
Dosja Hetimore
Leonard Duka dhe bashkëpunëtorët e tij kanë dyshuar se organizatori i takimit me vajzat atë ditë do të ishte Erigers Mihasi, i njohur me pseudonimin ‘Boli’ dhe një person tjetër që dyshohet se është punonjës policie që i thërrasin me emrin ‘Olci’.
Më datë 12 Gusht 2020, Leonard Duka ka kontaktuar me femrat me të cilat do të organizonte takimin por ato nuk janë treguar të disponueshme të takoheshin në këtë datë sepse njëra ishte në Shkodër ndërsa tjetra kishte angazhime.