Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që i dha të drejtë stafit të News24 dhe urdhëroi rikthimin e tyre në ambientet e punës, ka ardhur edhe reagimi i Anila Joles, drejtoreshë e përgjithshme e këtij televizioni.
Jole shprehet se ka besuar gjithmonë në të drejtën dhe në drejtësinë, duke theksuar se ky vendim rikthen News24 në redaksi dhe në transmetim pas disa ditësh ndërprerjeje të paprecedentë.
Reagimi:
“Ashtu siç e shpreha disa herë publikisht këto ditë, unë e ndieja dhe besoja se ne (News24) kishim të drejtë dhe do ta gjenim atë.
Sot Gjykata vendosi rikthimin tonë në studio dhe redaksi dhe vlerësoi të paligjshëm sekuestrimin e kompjuterave dhe orendive.
Besova që ka drejtësi, dhe ashtu doli!
Një mesazh i qartë ky për ata që bënë paligjshmëri dhe për ushtrinë e komentuesve që vollën vrer me të qena e të paqena.
Historia e kontratës së godinës sonë është në gjyq, per faj të ministrisë që e dha atë me qira dhe bëri një lëmsh mes qiradhënësve, qiramarrësve dhe pronarëve të tokës, lëmsh që shpresoj të gjendet sërish një gjyqtare me integritet si ajo e sotmja, për t’ia gjetur fillin. Këtë histori, kini durim ta sqarojnë profesionistët në ditët në vijim.
News24 do të vijojë të jetë pranë atyre që e ndjekin dhe duan me besim e sinqeritet!