Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri reagoi të mërkurën (13.08.2025) për bllokimin e transmetimit të televizionit informativ News 24, godina e të cilit pritet të shndërrohet në fabrikë për prodhimin e armëve.
Në një deklaratë të shkurtër në Facebook, Delegacioni i BE-së shprehet se mosmarrëveshjet midis palëve duhet të zgjidhen duke respektuar ligjin dhe procedurat e rregullta, pa cënuar lirinë e medias. “Është e rëndësishme që çdo veprim i ndërmarrë të mos cënojë mundësinë e gazetarëve për të ushtruar lirinë e tyre në përcjelljen e informacionit dhe për të ruajtur konfidencialitetin e burimeve të tyre” – thuhet në reagimin e Delegacionit. Zyra e BE-së shton se po e monitoron nga afër situatën dhe kërkon një zgjidhje ligjore, duke rikujtuar se liria e gazetarëve është thelbësore për funksionimin e shtetit të së drejtës.
Gjykata kundër ndërhyrjes ndaj News 24
Që nga 9 gushti, News 24 ka mbetur jashtë transmetimit, pasi forcat e policisë dhe ushtrisë rrethuan godinën e tij në ish-Uzinën e Autotraktorëve në Shkozë, ndërprenë furnizimin me energji dhe ndaluan hyrjen e gazetarëve. Në qendër të mosmarrëveshjes është konflikti pronësor midis Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Focus Media Group për kontrata qiraje të mbaruara dhe pagesa të papaguara. Sipas Avokaturës së Shtetit, godina ka pasur kontratë qiraje me shtetin deri në vitin 2022 dhe pas skadimit të saj, Focus Media Groupka humbur proceset gjyqësore për këtë pronë. Grupi mediatik e ka cilësuar ndërhyrjen si një “goditje të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes”. Në vendimin e marrë të martën e 12 gushtit, Gjykata e Tiranës konsideron se “ndërhyrja dhe kufizimi i gazetarëve dhe të drejtave të tyre (ishin) jo në proporcion me gjendjen që shkaktoi këtë kufizim dhe nevojën për të ndërhyrë”. Po ashtu ajo urdhëroi që gazetarëve t’u ktheheshin materialet e sekuestruara, që ndodhen që pas bllokimit në rezervat shtetërore.
Organizatat e medias: Të respektohen të drejtat e gazetarëve
Prej pesë ditësh, gazetarët e News 24 nuk janë lejuar të hyjnë në mjediset e punës, ndërsa materialet e bllokuara – sipas redaksisë përmbajnë të dhëna konfidenciale dhe burime të mbrojtura. Drejtoresha Anila Jole e quan situatën një “lojë absurde” për të vonuar rikthimin e sinjalit. “Mendova që nëse ka shtet, do të na lejonte të zbatonim procedurat. Kjo që po ndodh është skandal. Ne bëmë kallëzim në polici, do ta çojmë në SPAK!” – u shpreh ajo.
Organizatat e gazetarëve i kanë dhënë mbështetje redaksisë, duke kërkuar zbatim të menjëhershëm të vendimit gjyqësor. “Çdo masë që prek gazetarët duhet të jetë ligjore, proporcionale dhe të respektojë të drejtat e tyre profesionale, përfshirë mbrojtjen e burimeve dhe pajisjeve personale” – deklaron “Safe Journalists Albania”. Edhe Unioni i Gazetarëve thekson se cenimi i së drejtës së punës dhe ndërhyrja në materialet profesionale të gazetarëve përbën shkelje serioze ligjore dhe dëm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias. Nga uzinë autotraktorësh në qendër të industrisë së mbrojtjes Ish-Uzina e Autotraktorëve do të kthehet në një qendër shtetërore për prodhimin e armëve, nën administrimin e “KAYO”-s, kompani e krijuar në vitin 2024. Në prill 2025, kjo kompani nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me prodhuesin italian të anijeve “Fincantieri” për zhvillimin e kapaciteteve detare. Po ashtu, në korrik 2025, u miratua edhe një marrëveshje me Izraelin për projekte të përbashkëta me kompaninë “Elbit Systems” që pritet të prodhojnë dronë, armë të lehta dhe artileri në Shqipëri./DW