Gjykata e Kasacionit italian ka konfirmuar dhe rishikuar dënimet për dy prej liderëve më të njohur të bandave shqiptare në Itali, Elvis Demçen dhe Ermal Arapajn. Demçe është dënuar me 15 vite burg, ndërsa Arapaj me 10 vite, duke përfituar ulje të konsiderueshme nga dënimet e mëparshme.
Elvis Demçe, i njohur në botën e krimit si “Zoti i drogës” dhe i përfolur për lidhje me grupin famëkeq italian Camorra, ishte dënuar fillimisht me 18 vite burg me procedurë të shkurtuar për trafik droge. Ndërsa Ermal Arapaj, i njohur me nofkën ‘Ufo’, dhe bos i një bande rivale, kishte marrë një dënim fillestar prej 16 vjetësh.
Dy ish-miq të ngushtë që më pas u bënë kundërshtarë të ashpër, kanë udhëhequr trafikun e drogës në zonat e Romës, Acilias dhe Velletrit, ku nuk kanë munguar përplasjet e dhunshme mes tyre, përfshirë edhe incidente me armë zjarri.
Në një prej episodeve më të njohura të konfliktit, bashkëpunëtorët e Demçes i bënë pritë Arapajt në korrik të vitit 2020, ndërsa në shtator 2023 një zjarr i qëllimshëm shkatërroi një vilë në zonën e Velletrit, që dyshohet se ishte nën kontrollin e Arapajt.
Hetimet e thelluara për rastet u kryen nga prokurorët Mario Palazzi dhe Francesco Cascini, i cili vetë ishte në shënjestër të një atentati nga Demçe. Megjithatë, operacionet hetimore vijuan dhe dy të pandehurit përfunduan në pranga, duke marrë dënimet përkatëse.