Me rihapjen e çështjes së “21 janarit”, Gjykata e Tiranës ka dorëzuar dosjen e plotë të saj në Prokurorinë e Posaçme.
Lajmi është konfirmuar nga gazetari për Balkan Web, Igli Çelmeta.
Me datë 15 korrik, SPAK ka proceduar me regjistrimin e çështjes “21 janari”, për veprat penale:
- -“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, parashikuar nga neni 79, gërmat “dh” dhe “ë”, si dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë
- -“Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë
- -“Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 301 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK.
Kujtojmë që ishte Gjykata e Lartë ajo që urdhëroi Prokurorinë e Posaçme ta regjistrojë procedimin, pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kallëzimin e ka bërë Rajmonda Nika, bashkëshortja e viktimës Aleks Nika. Ajo së bashku me xhaxhain e viktimës, Mark Nika u paraqitën në ambientet e SPAK më 22 korrik për të dhënë dëshmitë e tyre.
Procedimi ka nisur për vrasjen e Aleks Nikës si dhe plagosjen e shtetasve Arbes Dyberi, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.