Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë që la në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Kreshnik Farrukun, i njohur edhe si Kreshnik Budlla, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Bradashesh, Elbasan, ka vijuar të mos e zbatojë këtë vendim, duke e mbajtur të paraburgosur edhe këtë të martë.
Vendimi për arrest në shtëpi ishte marrë fillimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në kuadër të procedurës së ekstradimit të tij drejt Italisë. Edhe pas kalimit të çështjes në instancën më të lartë gjyqësore dhe konfirmimit të masës nga Gjykata e Lartë, autoritetet e paraburgimit në Elbasan nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të liruar Farrukun nga qelia dhe për ta transferuar në arrest shtëpie, siç parashikon vendimi gjyqësor.
Familjarët e tij e kanë cilësuar mbajtjen e mëtejshme në paraburgim si cënim të lirisë dhe të drejtave të njeriut, ndërkohë që nuk është bërë publik shkaku pse IEVP Bradashesh nuk ka zbatuar ende vendimin. Një burim i besueshëm ka deklaruar se veprimet e IEVP-së bazohen në dokumentacionin ligjor, i cili duhet të mbërrijë nga Gjykata e Lartë. Derisa të mbërrijë ky dokumentacion, institucioni nuk mund të kryejë asnjë veprim për lirimin.
Sipas të njëjtit burim, IEVP Bradashesh dhe familjarët duhet të sqarohen fillimisht pranë Gjykatës së Lartë për ecurinë e dërgimit të vendimit.
Kreshnik Farruku (Budlla), një emër i njohur për drejtësinë europiane, është arrestuar më herët me urdhër të SPAK, ndërsa ndaj tij janë ngritur akuza të shumta për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, vjedhje banesash, pastrim parash dhe vepra të tjera penale.
Në maj të vitit 2019, ai u arrestua në një hotel në Madrid, gjatë një operacioni të përbashkët të policisë spanjolle dhe italiane, së bashku me vëllain e tij dhe një tjetër anëtar të fisit. Ai kërkohej prej kohësh nga drejtësia spanjolle dhe italiane për trafik kokaine dhe krime të tjera të rënda. Ndër të tjera, ai është hetuar edhe për një vrasje në Spanjë, të ndodhur në vitin 2010, fillimisht si i dyshuar për ekzekutimin e një “bosi” droge. Hetimet më pas zbuluan se pas krimit qëndronte Devi Kasmi, i vrarë më pas në janar 2018 në Tiranë.
Emri i Farrukut është përfshirë në dosjet e drejtësisë europiane që prej vitit 2010. Në maj të atij viti, ai u arrestua në Barcelonë bashkë me shtatë persona të tjerë, ku u kapën me 20 kg kokainë që synohej të trafikohej në Itali. Pas arrestimit, drejtimin e grupit e mori vëllai i tij i vogël, Erniu, i cili u arrestua më pas në vitin 2012.
Në vitin 2014, Farruku arriti të arratisej nga burgu dhe për disa kohë i shpëtoi drejtësisë, derisa u kap sërish në vitin 2019. Ndërsa në vitin 2015, ai i mbijetoi një atentati të armatosur në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, ku ndodhej me kunatin e tij, Rinald Budlla. Gjatë atentatit u plagos edhe një kalimtare, ndërsa pista kryesore e hetimeve lidhej me prishje të pazareve të drogës në Itali, Spanjë dhe Holandë.
Pasuritë e dyshuara si të krijuara nga aktivitetet kriminale të tij nuk kanë kaluar pa u vënë re nga autoritetet ligjzbatuese. Në vitin 2012, Gjykata e Durrësit vendosi sekuestrimin preventiv të pasurive të tij me vlerë afro 1 milion euro. Ato ishin regjistruar në emër të familjarëve të tij, përfshirë një pronë prej 920 mijë eurosh në Gjirin e Lalzit dhe një llogari bankare me mbi 6.2 milionë lekë.
Megjithë profilin kriminal dhe përfshirjen në një sërë dosjesh hetimore ndërkombëtare, vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë për ndryshimin e masës së sigurisë në “arrest në shtëpi” për Kreshnik Farrukun, mbetet ende i pazbatuar, duke ngritur shqetësime serioze mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe respektimin e vendimeve gjyqësore në praktikë.