Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën për pezullimin e dënimit të Adriatik llallës me dy vite burg Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e dënoi Adriatik Llallën me 2 vite burg. Pas dënimit Llalla u arratis në Itali ku depozitoi një kërkesë për azil politik.
Ish-kryeprokurorit, veç vendimit të fajësisë i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për pesë vitet e ardhshme, ndërsa i janë konfiskuar disa pasuri mes tyre toka dhe një apartament.
Ai u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor të 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar.
Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.
Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Akuzat u rrudhën në 2021, ku SPAK njoftoi më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, për të cilën do të vuaj dy vite burg.



