Gjykata amerikane ka bllokuar përkohësisht urdhrin e Donald Trump për ndalimin e dhënies së shtetësisë amerikane për fëmijët e emigrantëve.
Sipas BBC, gjykata e cilësoi urdhrin e Trump si anti-kushtetues.
Urdhri i nënshkruar nga Trump në ditën e inaugurimit, ishte planifikuar të hynte në fuqi më 19 shkurt.
Sipas padisë ai mund të ndikojë në qindra mijëra njerëz të lindur në vend.
Në vitin 2022 kishte rreth 255,000 lindje të fëmijëve shtetas nga nëna që jetonin në vend në mënyrë të paligjshme dhe rreth 153,000 lindje nga dy prindër të tillë, sipas padisë prej katër shtetesh të paraqitur në Seattle.
Ligji shprehet se “Të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe që i nënshtrohen juridiksionit të tyre, janë shtetas të Shteteve të Bashkuara dhe të shtetit ku ata banojnë”.
Ky ligj, i cili është dhe Amendamenti i 14-të, u miratua në 1868, pas përfundimit të Luftës Civile.
Amendamenti i 13-të kishte hequr skllavërinë, ndërsa i 14-ti zgjidhi çështjen e shtetësisë së ish-skllevërve të liruar, të lindur në Amerikë.
Hera e fundit që pati një mosmarrëveshje rreth asaj se çfarë do të thotë ndryshimi ishte më shumë se një shekull më parë. Në vitin 1898, Gjykata e Lartë e SHBA-së pohoi se shtetësia e të drejtës së lindjes vlen për fëmijët e emigrantëve në rastin e Wong Kim Ark kundër Shteteve të Bashkuara.
Gjykatat nuk e kanë rishqyrtuar këtë çështje që kur dhe për 127 vitet e fundit, SHBA-ja i ka dhënë shtetësinë pothuajse kujtdo që ka lindur në tokën amerikane, pavarësisht nga statusi i prindërve të tyre (përjashtimet e pakta përfshijnë fëmijët e diplomatëve të huaj).