LETER E HAPUR NR.2/ Shoqëria “FI Group” shpk, pjesë e grupit “Hysenbelliu” është vënë nën shënjestrën e kryetatimores Erilinda Lala, në shkelje të plotë të ligjit duke ndërhyrë në kontrollin tatimor dhe duke imponuar mosnjohjen e shpenzimeve për blerjen e tokës së ish-hotel “Turizmi i vjetër” në Pogradec. Ndaj shoqërisë është dhënë një urdhër i paligjshëm nga ana e Erlinda Lalës, për një detyrim të paqenë, rivlerësime arbitrare dhe shkelje procedurash nga drejtoresha e Tatimeve të Tiranës. Në një situatë të tillë, të paprecedentë, shoqëria “Fi Group” përmes kësaj letre të hapur i drejtohet Presidentit të Republikës dhe këshilltarëve të tij, Këshillit të Ministrave, Kryetarit të Kuvendit, institucioneve të pavarura, komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat si dhe trupit diplomatik që të shqyrtojnë rastin flagrant të bërë me vetdije kundër biznesit nga drejtoresha Erilinda Lala.
ANKESA E “FI GROUP” DHE PROBLEMATIKAT
Shoqëria “FI GROUP” sh.p.k, pas ardhjes së Raport-Kontrollit Paraprak nga Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë me firmë të Erilinda Lalës, ka dërguar observacion me shkrim, më datë 23.03.2026 për kundërshtimet e kontrollit tatimor paraprak, por hakmarrja e drejtoreshës Lala ishte më e thellë: largon inspektorin Laze, autorizon një vartës tjetër për hartimin e Raport-Kontrollit Paraprak, në kundërshtim me ligjin, ku ky i fundit nga data autorizimit 27.03.2026 dorëzon Raport-Kontrollin Përfundimtar më datë 30.03.2026, pra vetëm për 3 ditë kalendarike, nga të cilat 2 janë ditë pushimi.
Duke mos pasur zgjidhje direkte nga Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë, për akimin tonë mbi Raport-Kontrollin Përfundimtar (nënshkruar më datë 30.03.2026, por marrë nga shoqëria më datë 10.04.2026) i kemi drejtuar me shkrim kundërshtimet e Aktit Administrativ Komisionit për Shqyrtimin e Apelimit Tatimor (KSHAT) pranë Ministrisë së Financave dhe me një letër ankesë drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve, z.Ilir Binaj, ku kundërshton aktin administrativ dhe njoftim-vlerësimin tatimor me nr. 22520/5-6 prot., datë 30.03.2026, të nxjerrë nga Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë, duke e konsideruar atë absolutisht të pavlefshëm për shkak të shkeljeve të rënda procedurale dhe materiale gjatë kontrollit tatimor. Shoqëria “FI GROUP” argumenton se kontrolli i ushtruar për periudhën 2023–2025 ka rezultuar në detyrime dhe gjoba në vlerën totale prej 66,182,488 lekësh, por këto detyrime janë vendosur në kundërshtim me ligjin dhe pa respektuar procedurat e parashikuara nga legjislacioni tatimor dhe administrativ në fuqi.
Kontrolli përfshiu periudhat dhe tatimet:
– TVSH-në për periudhat tatimore 11/2023 deri me 10/ 2025.
– Tatimin mbi Fitimin për periudhat 2023-2024.
– Kontribute të Sigurimeve Shoqërore dhe TAP 10/2023 deri më 09/2025.
– Taksa e Tatime të tjera 10/2025.
Në përfundim të kontrollit, konkluzioni është detyrim dhe gjoba në shumën 66,182,488 lekë.
Një nga problematikat kryesore të evidentuara lidhet me përbërjen dhe funksionimin e grupit të kontrollit. Shoqëria “FI GROUP” pretendon se raporti përfundimtar është firmosur nga një inspektor që nuk ka qenë pjesë e kontrollit në terren dhe që është autorizuar vetëm në momentin e mbylljes së raportit. Sipas saj, kjo bie ndesh me nenet 83 dhe 84 të Ligjit nr. 9920 “Për procedurat tatimore”, të cilat kërkojnë që raporti të përgatitet dhe nënshkruhet nga inspektorët që kanë ushtruar realisht kontrollin. Për më tepër, “FI GROUP” pretendon se një pjesë e personave të përfshirë në vendimmarrje nuk kanë qenë të emëruar sipas procedurave të Ligjit për Nëpunësin Civil, duke e bërë të paligjshëm të gjithë procesin administrativ.
Një tjetër çështje e kundërshtuar lidhet me rivlerësimin e të ardhurave përmes llogaritjes së interesave mbi huat e dhëna ndërmjet shoqërive të grupit “Hysenbelliu”. Shoqëria argumenton se huat janë dhënë mbi bazën e kontratave pa interes, të lejuara nga Kodi Civil dhe të justifikuara si mbështetje financiare brenda grupit, jo si aktivitet financiar fitimprurës. Sipas saj, administrata tatimore ka aplikuar në mënyrë arbitrare norma interesi të Bankës së Shqipërisë për kredi korporative, megjithëse “FI GROUP” nuk është institucion financiar dhe nuk ushtron aktivitet kreditues. Shoqëria thekson se ky interpretim bie ndesh me parimin e ligjshmërisë dhe krijon një trajtim të padrejtë, duke i atribuuar subjektit të ardhura hipotetike që nuk ekzistojnë realisht.
Një nga pikat më të forta të ankimit lidhet me mosnjohjen si shpenzim të zbritshëm të vlerës së një pasurie të paluajtshme të blerë në vitin 2022 dhe të shitur në vitin 2023. “FI GROUP” argumenton se toka dhe ndërtesa janë blerë me kontrata noteriale të rregullta, janë regjistruar ligjërisht dhe janë reflektuar në kontabilitet si aktive afatgjata materiale. Megjithatë, administrata tatimore ka refuzuar njohjen e kostos së blerjes si shpenzim, vetëm për shkak se në momentin e blerjes nuk është lëshuar autofaturë e fiskalizuar. Shoqëria e konsideron këtë qasje absurde dhe disproporcionale, pasi pasuria është reale, transaksioni është dokumentuar plotësisht dhe madje për mungesën e autofaturës subjekti është penalizuar më parë gjatë një kontrolli tjetër për vitin 2022. Sipas “FI GROUP”, administrata po e ndëshkon dy herë për të njëjtin fakt dhe po krijon artificialisht një detyrim tatimor mbi një fitim që nuk pasqyron realitetin ekonomik të transaksionit.
Shoqëria ngre gjithashtu pretendime serioze për shkelje procedurale gjatë gjithë procesit të kontrollit. Sipas saj, kontrolli ka tejkaluar afatet e autorizuara pa miratim dhe pa njoftim zyrtar, në kundërshtim me manualin e kontrollit tatimor dhe kodin e procedurave administrative. Gjithashtu, pretendohet se drejtori rajonal ka ndërhyrë drejtpërdrejt në vendimmarrje, duke diktuar përmbajtjen e raportit të kontrollit, gjë që cenon pavarësinë e grupit të kontrollit dhe parimin e paanshmërisë administrative. Një tjetër element i rëndësishëm i ankesës është konflikti i interesit. Shoqëria deklaron se ka kallëzuar penalisht grupin e kontrollit dhe megjithatë, i njëjti grup ka vazhduar procedurat ndaj saj. Sipas “FI GROUP”, kjo situatë cenon objektivitetin dhe neutralitetin e procesit administrativ dhe e bën kontrollin të komprometuar që në themel.
Po ashtu, “FI GROUP” pretendon mungesë të plotë transparence dhe komunikimi nga administrata tatimore. Shoqëria deklaron se gjatë kontrollit nuk i janë vënë në dispozicion procesverbalet, akt-konstatimet apo dokumentacioni i plotë i dosjes së kontrollit, megjithëse ka bërë kërkesa zyrtare për akses në dokumentacion. Kjo, sipas saj, ka cenuar të drejtën për mbrojtje dhe të drejtën për t’u dëgjuar, të garantuara nga ligji tatimor dhe Kodi i Procedurave Administrative.
Shoqëria “FI GROUP” sh.p.k kërkon që i gjithë raporti i kontrollit dhe aktet e nxjerra mbi bazën e tij të konsiderohen absolutisht të pavlefshme, pasi janë hartuar në kundërshtim me ligjin, me procedura të parregullta dhe me vendimmarrje të ndikuar e arbitrare. Shoqëria mbështetet në dispozitat e ligjit për procedurat tatimore, Kodit të Procedurave Administrative, Ligjit për Nëpunësin Civil dhe Manualit të Kontrollit Tatimor, duke argumentuar se kontrolli është kryer nga persona jo kompetentë, jashtë afateve ligjore, me ndërhyrje të padrejta dhe pa respektuar të drejtat themelore të tatimpaguesit.
vijon…


