Pas lajmit për gjobën 4 milionë euro ndaj kompanisë “Erjoni Sh.P.K.”, pronare e “Prestige Resort” në Golem, kompleksi turistik që u shkatërrua me tritol në dhjetor të vitit 2022, asnjë institucion publik nuk pranon të japë shpjegime për këtë vendim të pazakontë: të vendosësh një detyrim tatimor milionash ndaj një biznesi që nuk ekziston më fizikisht dhe që prej tre vitesh është jashtë funksionit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të përgjigjet publikisht: si u llogarit detyrimi prej 4 milionë euro, cilat periudha dhe transaksione u morën në konsideratë, dhe nëse është marrë parasysh fakti se objekti fizik është i prishur.
Media jonë ka dërguar kërkesa zyrtare për dokumentet e kontrollit dhe për një koment nga drejtoria përgjegjëse; por deri në publikim nuk kemi marrë përgjigje. Edhe pas publikimit, insitucionet heshtin. Ndërkaq ekspertë tatimorë që folën për ‘News24’ vlerësojnë se çështja mund të shndërrohet në precedent për mënyrën si Administrata tatimore trajton biznese të shkatërruara fizikisht nga vendime shtetërore. Burime nga kompania “Erjoni” pohojnë se kontrolli tatimor që solli këtë gjobë, ka zgjatur afro dy vite dhe është kryer në kushte të pazakonta ndaj një subjekti që nuk kishte më aktivitet, por që mbahej në shënjestër administrative.
Ky nuk është rasti i parë që autoritetet shqiptare vendosin masa të rënda ndaj kësaj kompanie. Sipas të dhënave të publikuara më herët, “Prestige Resort” është gjobitur me mbi 13 milionë euro gjithsej në këto tre vite, ndonëse ishte më parë i çertifikuar nga vetë shteti si një nga investimet model të turizmit në bregdetin e Adriatikut.
Tani, me vendimin e ri për 4 milionë euro të tjera, situata duket se ka kaluar nga absurdi në grotesk. Një paralelizëm e përmbledh këtë realitet me një fjali: “Shteti e vrau, e dogji dhe tani i vë taksë për hirin”.
Përse Drejtoria e Tatimeve nuk shpjegon si u llogarit detyrimi 4 milionë euro ndaj një subjekti të shuar? Si mund të fitohet nga rrënojat? Pse Ministria e Financave hesht, edhe pse është politikisht dhe ligjërisht përgjegjëse për këtë vendim? A është kjo një gjobë reale, apo një akt hakmarrjeje politike? Këto janë pyetje që presin përgjigje.
Dhe ndërkohë që resorti që dikur u quajt “perlë e turizmit” në Adriatik qëndron si një gërmadhë e heshtur, hesht edhe shteti që e rrënoi atë me duart e veta.
Sipas burimeve të sigurta, “Erjoni Sh.P.K.” është në proces për të paditur vendimin tatimor në gjykatë dhe për të kërkuar jo vetëm anulimin e gjobës, por edhe dëmshpërblim për shkatërrimin e paligjshëm të pronës. Avokatët e kompanisë kanë paralajmëruar një betejë ligjore që mund të zgjatet në vite, por që synon të vendosë një precedent të rëndësishëm për të drejtat e pronarëve në raport me shtetin.