GJKKO ka shpallur të pafajshëm ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi.
Shkëlzen Selimi akuzohej për “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Në seancën e sotme Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsioni dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, vendosi seklarimin e pafajshëm të të pandehurit Shkëlzen K. Selimi.
Njoftimi
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Shkëlzen Selimi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për
deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a/2 të K.Penal.”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, me vendimin Nr. 48, datë 07.07.2025 vendosi:
1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Shkëlzen K. Selimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë
ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, pg 2 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja a) të Kodit të Procedurës Penale, pasi fakti penal objekt akuze nuk provohet se ekziston si i tillë.
2. Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake, sipas procesverbalit për evidentimin e shpenzimeve të hetimit, dhe ato gjyqësore, sipas procesverbalit përkatës për evidentimin e shpenzimeve gjyqësore, në referim të nenit 393 të K.Pr.Penale, mbeten siç janë kryer.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke
filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Tiranë, më datë 07.07.2025
Kujtojmë se Shkëlzen Selimi punoi për dy dekada në sistemin e drejtësisë, përpara se të shkarkohej në vitin 2018 nga vetingu për fshehjen e kontakteve me persona të përfshirë në krim të organizuar.
Edhe bashkëshortja e tij, ish-gjyqtarja e Apelit Administrativ, Rilinda Selimi u sharkua nga Kolegji për shkak të kontakteve të papërshtatshme, ndërkohë që shumica e trupit gjykues nuk gjeti probleme shkarkuese për pasurinë.
Procedimi penal për Selimin dhe disa gjyqtarë të tjerë u regjistrua nga SPAK ne vitin 2020 për veprën penale të “deklarimit të rremë të pasurisë”.
Në prill 2021, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi pasuritë në zotërim të Selimit dhe familjarëve të tij; një pikë karburanti në lungomaren e Vlorës si dhe një truall me sipërfaqe 2400 m2 në Jonufër të Vlorës