Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka refuzuar kërkesën e paraqitur nga avokatët e Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit për përjashtimin e trupës gjykuese që po shqyrton çështjen e njohur si “Partizani”.
Një javë më parë, përfaqësuesi ligjor i Berishës kishte argumentuar se gjyqtarët duhet të caktoheshin nga jashtë GJKKO-së, duke vënë në dyshim paanshmërinë e trupës aktuale. Por me vendimin e sotëm, gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj do të vijojnë normalisht shqyrtimin e dosjes.
Në pretendimet e tyre, të pandehurit ngritën shqetësimin se gjyqtarët janë nën monitorimin dhe mbikëqyrjen e SPAK – institucion që konsiderohet palë në proces – dhe për këtë arsye nuk garantohet pavarësia dhe paanësia e gjykimit.
Më herët, edhe kërkesa për dorëheqje e relatores Elsa Ulliri ishte refuzuar nga zëvendëskryetari i GJKKO-së.
Seanca e radhës për dosjen “Partizani” është caktuar të zhvillohet më 15 shtator.
Sali Berisha përballet me akuzën për korrupsion pasiv në bashkëpunim, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Në listën e të pandehurve janë gjithashtu Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.