GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Amar Shkëmbin, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoji, ngjarje e ndodhur më 1 Nëntor 2019.
Amar Shkëmbi alias Dritan Shkëmbi dyshohet se është i implikuar në ngjarjen e ndodhur më datë 01 Nëntor 2019, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku disa shtetas që lëviznin me automjet, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin Andi Maloki, Arjan Ndoji dhe Aleksandër Laho.
Si pasojë e atentatit humbi jetën Andi Maloku, si dhe u plagosën ish-prokurori Arjan Ndoji dhe i shumëkërkuari i drejtësisë Aleksandër Laho, i njohur edhe si Rrumi i Shijakut.
Ndaj tij, GJKKO ka caktuar masën “arrest me burg” në vitin 2022, për veprat penale:
-“Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Arjan Ndoji
-“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Maloku, si dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi );
-“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-“Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.