Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të dërgojë për gjykim çështjen penale ndaj ndërtuesit Rrok Gega dhe ish kryetares se komanduar te bashkise Tropojë, Zyra Islamajt, të akuzuar për korrupsion aktiv dhe pasiv në ushtrimin e funksioneve publike.
Sipas akuzës, Rrok Gega akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Zyra Islamaj për “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në seancën paraprake të 25 nëntorit 2025, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Irena Gjoka shqyrtoi pretendimet e palëve dhe, me vendimin nr. 149, vendosi:
– Pranimin e kërkesës së SPAK për dërgimin e çështjes në gjyq në ngarkim të dy të pandehurve Rrok Gega dhe Zyra Islamaj;
– Dërgimin e dosjes për shqyrtim te një trup tjetër gjykues i Gjykatës së Posaçme;
– Përfshirjen në fashikullin gjyqësor të të gjitha akteve të hetimit paraprak, me përjashtim të deklarimeve të personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes;
– Pavlefshmërinë e ankimit, pasi kundër këtij vendimi nuk lejohet apelim.
Njoftimi:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 29.09.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr. 15/2026, në ngarkim të të pandehurve: Rrok Gega, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe Zyra Islamaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal”.
I. Pranimin e kërkesës së palës kërkuese, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr.15, viti 2025 në ngarkim të të pandehurve:
1. Rrok Gega, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga neni 244, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
2. Zyra Islamaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga neni 259, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
II. Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me tjetër trup gjykues.
III. Fashikulli i gjykimit do të përmbajë të gjitha aktet e hetimit paraprak, të përfshira në 1 volum hetimor (përveç deklarimeve të shtetasve të pyetur me cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes).
IV. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.


