Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka denoncuar situatën e përmbytjeve në Bashkinë Kurbin, duke akuzuar institucionet vendore dhe qendrore për dështim në menaxhimin e emergjencës. Sipas PD-së, reshjet kanë shkaktuar përmbytje, bllokim rrugësh, izolim familjesh dhe dëme në banesa e ekonomi të vogla.
Gjekmarkaj, së bashku me deputetin Kastriot Piroli dhe drejtues lokalë të PD-së, ka inspektuar zonat e prekura, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për lirimin e rrugëve dhe ndihmën për banorët.
Partia Demokratike i bën thirrje bashkisë dhe qeverisë që të lënë propagandën dhe të veprojnë menjëherë me mjete, ekipe dhe një paketë emergjence për përballimin e situatës.
Postimi i Gjekmarkaj:
Denoncim i Partisë Demokratike
Partia Demokratike denoncon me forcë dështimin total të institucioneve vendore dhe qendrore në menaxhimin e situatës së përmbytjeve që po godasin Bashkinë Kurbin. Reshjet kanë shkaktuar përmbytje dhe bllokim të disa segmente rrugorë, duke lënë familje të izoluar dhe toka të mbuluara nga uji. 
Së bashku me kolegun Kastriot Piroli dhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kurbinit, Edmond Shkoza, vëzhguam nga afër zonat më të prekura, ku konstatuam dëme të konsiderueshme në banesa dhe ekonomi të vogla, si dhe rrugë lokale të pamundura për t’u kaluar nga automjetet e vogla. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për lirimin e rrugëve dhe për shpëtimin e pasurisë së tyre. 
Partia Demokratike i bën thirrje kryetares së Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara që të shfaqet në zonat e dëmtuara, të marrë përgjegjësi dhe jo të fshihet pas gjithë këtyre dëmëve. Po ashtu PD, i bën apel qeverisë dhe çdo institucioni përgjegjës që të ndalojnë propagandën dhe të lënë lojërat politike në këto momente, të dërgojnë shpejt mjetet dhe ekipet e nevojshme për pastrimin e kanaleve, lirimin e akseve dhe ndihmën e banorëve.
Të hartojnë dhe të zbatojnë paketë emergjence për riparimin e dëmeve dhe masat afatgjata për përforcimin e sistemit kullues dhe infrastrukturës. Ky denoncim është thirrje për përgjegjësi dhe veprim të menjëhershëm, qytetarët e Kurbinit nuk mund të mbeten peng i infrastrukturës së paaftë dhe i deklaratave boshe. Partia Demokratike do të qëndrojë pranë banorëve dhe në mbrojtje të interesave të tyre.


