Gazetari i njohur Ferdinand Samarxhi feston sot 77-vjetorin e lindjes. Ai njihet si ndjekës i kahershëm i çështjeve të feve në Shqipëri dhe promovues i harmonisë fetare. Nuk kanë munguar urimet nga krerët e institucioneve fetare në vend. Ka qenë Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Joani ai që i ka uruar i pari ditëlindjen Samarxhiut.
“Ju uroj gëzuar dhe për shume vjet ditëlindjen, duke ju falënderuar dhe përgëzuar për kontributin e çmuar dhe te vazhdueshëm ne pasqyrimin profesional të veprimtarive te shumta te komuniteteve fetare ne vendin tone. Lutem qe Perëndia t’ju japë shëndet, jete te gjate, si edhe paqe e gëzim ne jetën tuaj dhe ne familjen tuaj.
Me respekt, Kryepeshkopi i Tiranës, + Joani”
Sakaq, edhe kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Baba Mondi ka uruar për ditëlindjen e gazetarit Ferdinand Samarxhi. Baba Mondi e vlerëson Samarxhiun si njeriun që solli i pari përmes ekranit dritën e lirisë së besimit.
“Sot, në këtë ditë të veçantë, kur gazetari i njohur Ferdinand Samarxhi feston 77-vjetorin e lindjes, Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i ka përcjellë urimet e tij të ngrohta dhe të sinqerta, duke vlerësuar figurën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në jetën kulturore, shpirtërore dhe kombëtare shqiptare.
“Sot, në ditën e shënuar të 77-vjetorit të lindjes së gazetarit të mirënjohur Ferdinand Samarxhi, i përcjell urimet e mia më të përzemërta për shëndet, jetë të gjatë e të lumtur dhe frymëzim të pandalur në shërbim të Kombit dhe të Zotit.
Ferdinand Samarxhi është gazetari që, me guxim dhe përkushtim, hapi në ekranin e Televizionit Shqiptar rubrikën e parë që solli dritën e lirisë së besimit. Në një kohë të vështirë, ai guxoi të fliste për shpirtin, për dashurinë dhe për Zotin, duke e bërë fjalën e tij burim shprese e drite për mbarë shqiptarët.
Ai i quajti të gjithë shqiptarët “Vëllezër”, duke tejkaluar çdo ndarje e dallim, dhe zëri i tij u bë i dashur për të gjithë. Përmes punës së tij, ai tregoi vlerat e Bektashizmit si një urdhër shpirtëror që ka luajtur rol të madh në Pavarësinë Kombëtare dhe në harmoninë ndërfetare, duke i dhënë kombit tonë një dimension të lartë shpirtëror.
Me devocionin e tij, me integritetin njerëzor dhe me dashurinë për rrugën e Zotit, Ferdinand Samarxhi ka ditur të ndërthurë idealin kombëtar me besimin, duke na lënë një trashëgimi të çmuar për shoqërinë e sotme. Ai është me të drejtë Mjeshtër i Madh dhe Nder i Kombit.
Në këtë ditë të bekuar, i shpreh falënderimet dhe respektin tim të thellë për gjithë kontributin e tij dhe i uroj nga zemra jetë të gjatë, shëndet të plotë dhe suksese të tjera në shërbim të së vërtetës, të paqes dhe të dashurisë ndërmjet njerëzve.”
Gjithashtu urimet për Ferdinand Samarxhi kanë ardhur edhe nga kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu.
“Me rastin e ditëlindjes së 77-të të mikut dhe gazetarit të shquar, z. Ferdinand Samarxhi, i shpreh urimet më të përzemërta për shëndet, jetë të gjatë e mbarësi!
Zëri i tij i ngrohtë dhe i veçantë ka qenë gjithmonë i dashur për të gjithë, pa dallim feje a bindjeje, duke u bërë një figurë e respektuar nga mbarë shoqëria.
Për mua, portreti i Ferdinand Samarxhiut është portreti i unitetit dhe i harmonisë, ashtu siç e do dhe e kërkon tradita jonë e bashkëjetesës ndërfetare.
Ai është bërë një simbol i afërsisë, i komunikimit të ndershëm dhe i bashkimit shoqëror.
E shoh si një zë dhe figurë të çmuar për të gjithë, ndërsa kontributi i tij mbetet një enciklopedi e gjallë e ekranit televiziv, e vlefshme për breza të tërë, pa kufij besimi apo bindjeje.
I uroj nga zemra vite të tjera të mbara, të shëndetshme dhe të begata në jetë e në misionin e tij fisnik.”