Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka reaguar pas lajmit se gazetari Artan Hoxha është shpallur “non-grata” nga autoritetet greke.
Bido e cilësoi këtë vendim si të papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet evropiane.
Përmes një reagimi publik në Facebook, deputeti socialist u shpreh se një vend si Greqia nuk duhet të ndikohet nga ajo që ai i quajti “grahmat e fundit të nacionalizmit”.
Sipas Bidos, një veprim i tillë bie ndesh me vlerat që përfaqëson Bashkimi Evropian.
“Detyrë e gazetarëve është të përballen me nacionalizmin politik”
Deputeti theksoi se gazetarët kanë rol të rëndësishëm në shoqëri, sidomos kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme si nacionalizmi.
“Sulmi ndaj tyre është abuzimi më i madh i vlerave evropiane,” deklaroi Bido, duke e konsideruar masën ndaj Hoxhës një precedent të rrezikshëm.
Postimi i plotë
Ndalimi i Artan Hoxhës në kufirin shqiptaro-grek përbën rastin e dytë në pak vite që gazetarët shqiptarë ndalohen në kufi për shkak të raportimit dhe të bindjeve të tyre. Është e papranueshme që në shekullin e 21-të, autoritetet e një shteti evropian të vijojnë të ndikohen nga grahmat e fundit të nacionalizmit. Kërkimi i të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, përballja me nacionalizmin politik të fenomeneve Agimi i Artë, Beleri etj., si dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, nuk janë opsion, por detyrim i çdo gazetari dhe i çdo shqiptari. Ndaj, sulmi ndaj tyre, përmes shpalljes “non grata” përbën abuzimin më të madh me vlerat evropiane.
Autoritetet e Republikës së Greqisë, shpallën ditën e djeshme me statusin “non grata”, gazetarin investigativ Artan Hoxha, duke e cilësuar “të padëshirueshëm” dhe kërcënim për rendin publik, duke ndaluar përjetësisht për të mos shkelur në territorin grek.
Gazetari Hoxha, ka qenë ditën e djeshme duke udhëtuar drejt qytetit të Janinës, kur është ndaluar nga policia greke e kufirit në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.
Në sportelin e policisë kufitare, ku kryhet kontrolli i pasaportave për qytetarët që hyjnë në territorin grek, gazetarit Hoxha, i është komunikuar, se nuk mund të hyjë në Republikën e Greqisë, pasi përbën rrezik për rendin publik dhe sigurinë e brendshme të këtij shteti.
Pasi i është marrë pasaporta, ai është mbajtur për rreth një orë në policinë greke. Rreth orës 10:30 me orën lokale, i është komunikuar vendimi i autoriteteve greke, që e shpall “non grata” për një afat të pacaktuar.
Në vendimin që policia greke i ka dorëzuar gazetarit Hoxha, thuhet se:
1) është karakterizuar si person i padëshirueshëm.
2) konsiderohet person i rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e brendshme, për shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose shumë shteteve të Bashkimit Europian.
Më pas, gazetarit Hoxha i është vendosur kryq me stilolaps në pasaportë mbi vulën e policisë greke dhe i është kërkuar të largohet menjëherë nga territori grek.
Ky është një rast i përsëritur nga autoritetet greke ndaj gazetarëve shqiptarë, të cilët kanë denoncuar apo ekspozuar aktivitete të paligjshme në dëm të interesave të Republikës së Shqipërisë apo në dëm të interesave kombëtare shqiptare.
Një vendim i tillë është marr më parë për gazetarin Marin Mema, i cili nuk është lejuar më të shkel në territorin grek.
Pavarësisht se është një vend anëtar i Bashkimit Europian, shteti grek ka dëshmuar se vazhdon të njëjtën rrugë të penalizimit dhe diskriminimit ndaj gazetarëve shqiptarë, që “dëmtojnë” sipas tyre interesat kombëtare greke.
Gazetarit Hoxha i është komunikuar, se ky vendim është marrë në fillimin e vitit 2024, në kulmin e fushatës për zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Europian, kur në listën për eurodeputet të partisë në pushtet Nea Dimokratia (Demokracia e Re) e kryeministrit Qiriakos Mitsotaqis, kandidonte Fredi Beleri me shtetësi shqiptare dhe greke.
Për më shumë 23 vite, gazetari Artan Hoxha ka publikuar në media, kryesisht në Gazetën Shqiptare dhe televizionin News24, artikuj investigativ dhe dokumentare në lidhje aktivitete në dëm të interesave shqiptare, duke filluar nga skandali i ndërtimit të varrezave të ushtarëve grekë në territorin e Shqipërisë, skandali i zhvarrimeve të eshtrave të fshatarëve të Kosinës për ti paraqitur ata, si martirë të ushtrisë greke të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.
Gazetari Hoxha ka publikuar një seri të gjatë ndër vite investigime në lidhje me Masakrën e Peshkëpisë, ngjarje e ndodhur më vitin 1994. Kjo masakër u krye nga një komando e ardhur nga territori grek, e cila sulmoi repartin kufitar të Peshkëpisë në Gjirokastër, duke marrë peng për disa orë, 130 rekrutë të Ushtrisë Shqiptare dhe duke vrarë “Dëshmorët e Atdheut”, komandantin Fatmir Shehu dhe ushtarin Arsen Gjini.
Gazetari Hoxha, në vijimësi ka sjellë prova dhe fakte, se në këtë ngjarje kanë qenë të përfshire pjesëtarë të policisë greke, shtetas shqiptarë anëtarë në organizatën paraushtarake ultranacionaliste MAVI(Fronti për Çlirimin e Vorio Epirit).
Në vitin 2018, gazetari Hoxha publikoi ekskluzivisht pamjet e ngjarjes së Bularatit, ku tregohej se shtetasi shqiptar me kombësi greke, Konstandinos Kacifas, nuk ishte një martir që po sulmohej pse mbronte simbolet kombëtarë greke, për një terrorist i armatosur me kallashnikov, i cili hapi zjarr frontal kundër policisë së Dropullit.


