Ka përfunduar sot faza e intervistës në kuadër të procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Pas zhvillimit të testit të poligrafit më datat 24 dhe 25 korrik, intervistat me kandidatët u zhvilluan sot, duke nisur në orën 09:00 në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Secila intervistë zgjati rreth 45 minuta dhe u mbikëqyr nga përfaqësues ndërkombëtarë, për të garantuar standarde të larta transparence dhe integriteti.
Sipas SPAK, gjatë intervistave, kandidatët u vlerësuan mbi njohuritë e tyre profesionale, aftësitë drejtuese dhe qasjen e tyre ndaj sfidave që lidhen me drejtimin e BKH-së.
Në përfundim të kësaj faze, Komisioni i Përzgjedhjes vendosi që të shtatë kandidatët të kalojnë në fazën e radhës, atë të verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë.
Kujtojmë se kandidatët në garë janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.
Njoftimi i SPAK
Përfundon Faza e Intervistës në Procesin e Përzgjedhjes së Drejtorit të BKH-së
Pas zhvillimit të testit të poligrafit më datat 24 dhe 25 korrik, sot përfundoi edhe faza e intervistës për përzgjedhjen e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Intervistat nisën në orën 09:00, në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe zgjatën 45 minuta për secilin kandidat.
Kjo fazë, e monitoruar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, u fokusua në vlerësimin e njohurive profesionale, aftësive drejtuese dhe qasjen e kandidatëve ndaj sfidave që lidhen me pozicionin e Drejtorit të BKH-së.
Në përfundim të kësaj faze, Komisioni i Përzgjedhjes vendosi që të shtatë kandidatët t’i nënshtrohen fazës së verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë, në përputhje me nenin 6 të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
SPAK rikonfirmon angazhimin për të garantuar një proces përzgjedhjeje transparent, të drejtë dhe të bazuar në kritere të qarta profesionale dhe ligjore.