Policia e Tiranës ka bërë bilancin e ndëshkimeve të shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor në javën që lamë pas.
Në pranga janë vënë dy shoferë të cilët kanë qenë duke udhëtuar me telefonin në dorë gjatë kohës që drejtonin automjetin.
Në momentin kur janë konstatuar nga policia ata kanë tentuar t’i korruptojnë ata duke u ofruar para.
Gjatë kësaj jave janë pezulluar 117 patenta ndërkohë që janë vendosur 5668 gjoba për drejtim të augtomjetit nën efektin e pijeve alkoolike, tejkalim shpejtësie apo parakalim të gabuar.
Njoftimi i policisë
Policia Rrugore e Tiranës e angazhuar për të parandaluar ngjarjet rrugore që vijnë si pasojë e garave të shpejtësisë, manovrimeve të rrezikshme dhe parakalimeve të gabuara, drejtimit të automjeteve pa leje drejtimi, drejtimit të automjeteve nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Kontrollet janë përqëndruar edhe në drejtim të evidentimit dhe ndëshkimit të atyre drejtuesve të mjeteve që nuk vendosin rripin e sigurimit por dhe pasagjerët, për drejtuesit e mjeteve që përdorin aparatin celular, për sekuestrimin e targave të skaduara apo që i përkasin një mjeti tjetër, si dhe për goditjen e mitëdhënies, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljet e kryera.
Në këtë kuadër, gjatë javës që lamë pas, nga shërbimet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë janë arrestuar dhe proceduar për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, 20 persona, konkretisht për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, për largim nga vendi i aksidentit apo për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Gjatë kontrolleve parandaluese, janë goditur 2 raste të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke përdorur telefonin gjatë drejtimit të mjetit, 2 drejtues mjetesh të cilët për t’i shpëtuar masës administrative, kanë tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke u ofruar para.
Gjatë javës janë pezulluar 117 leje drejtimi, të ndara sipas shkeljeve: 29 për “Drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit”, 75 për “Kufizimet e shpejtësisë” dhe 13 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Janë tërhequr 29 palë targa të modifikuara, që nuk i përkisnin mjetit ose ishin të çrregjistruara në vendet e origjinës. Janë bllokuar 11 mjete, për mungesë dokumentacioni. Janë vendosur 5668 masa administrative, me një mesatare 809 masa të vendosura në ditë, konkretisht:
– 94 masa për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike; 63 për xhama të zinj; 32 masa për parakalime të gabuara; 825 masa për përdorim të aparatit të celularit gjatë drejtimit të mjetit; 384 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit (nga këto 123 për drejtuesit, pasi pasagjerët në mjet nuk kishin vendosur rripin e sigurimit); 785 masa për shpejtësi tej normave të lejura, 67 për gara shpejtësie e manovra të rrezikshme në rrugë, 39 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 3102 masa për qëndrim/pushim të gabuar të mjetit; 53 masa administrative për mungesë siguracioni; 1224 masa për shkelje të ndryshme.
Policia Rrugore e Tiranës falënderon përdoruesit e rrugës që kanë zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri.



