Të ftuar të enjten në Frontal, ishin Safete Hadergjonaj nga PDK, Muharrem Nitaj nga koalicioni AAK-PSD dhe Shkodran Imeraj nga koalicioni NISMA-AKR-PD
Duke folur për programin ekonomik të partisë që i përket, kandidati për deputet nga radhët e AAK-PSD, Muharrem Nitaj tha se me një mandat tjetër të qeverisë Haradinaj, paga minimale do të jetë 250 euro, ndërsa çdo vit do të kemi rritje të pagës nga 10%.
“AAK dhe PSD i kanë dy shtylla. E para, do ta mbrojmë Kosovën në këtë kufij që i ka sot. E dyta, është zhvillimi ekonomik. Prej tyre, janë segmenti i politikave sociale. Nuk do të ketë page me të vogël se 250 vjet, me rritje prej 10% për çdo vit.”, ka thënë Nitaj.
Ndërsa premtime të mira për qytetarët e Deçanit, dhe të Kosovës në përgjithësi, ka dhënë edhe Safete Hadergjonaj nga PDK.
Ajo ka thënë se shkalla e papunësisë në Deçan është e madhe, ndërsa do të kujdesen që ky numër të bie. Sipas saj, këtë do ta bëjnë duke e luftuar korrupsionin.
“Vetëm në Deçan, janë 33% të papunësuar. Platforma jonë në këto zgjedhje është lufta kundër korrupsionit. Kemi ardhur në përfundim që platforma jonë i duhet Kosovës. Shumë parti e kanë lidhur korrupsionin me PDK-në, sepse janë të vegjël e pa ide. Korrupsioni është në të gjitha partitë politike, të gjitha OJQ-të, dhe në të gjitha komunat e Kosovës. Partitë e tjera nuk munden ta luftojnë korrupsionin, PDK ka dëshmuar që mund ta bëj këtë.” ka thënë Hadergjonaj.
Ndërsa, Shkodran Imeraj nga koalicioni NISMA-AKR-PD, shkurt ka thënë se do t’i përkrahin bizneset, dhe në Deçan do t’i japin përparësi bujqësisë dhe do ta zhvillojnë turizmin.
“Ne do t’i përkrahim bizneset e vogla e të mesme. Është bujqësia ajo që do të perkrahet dhe do ta zhvillojmë turizmin”,ka përfunduar Imeraj./GazetaExpress/




