Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme, rreth orës 14:35, në aksin e rrugës kombëtar Peqin–Elbasan në vendin e njohur si Vidhas.
Në aksident janë përfshirë dy automjete, ndërsa pasojat kanë qenë të rënda për drejtuesin e njërës prej makinave dhe bashkëshorten e tij, të cilët kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit më të afërt, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Informacionet e para nga vendngjarja tregojnë se aksidenti ka ndodhur në momentin kur njëri nga automjetet që kishte kryer një ndalesë për furnizim me karburant, ka tentuar të rikthehet në rrugën automobilistike.
Gjatë kësaj manovre, ai është përplasur me një tjetër automjet që po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Elbasanit. Si pasojë e përplasjes së fortë, të dy automjetet kanë devijuar nga rruga, duke përfunduar në kanal, njëra mbi tjetrën.
Gjendja shëndetësore e të plagosurve nuk është bërë ende e ditur, ndërsa pritet një njoftim zyrtar nga autoritetet spitalore.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë Rrugore, të cilat kanë kryer sigurimin e zonës dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të aksidentit.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të përcaktuar përgjegjësitë e palëve të përfshira, si dhe për të vlerësuar nëse shkelja e rregullave të qarkullimit apo mungesa e sinjalistikës ka ndikuar në shkaktimin e ngjarjes.