Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në një lokal në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë, ku 50- vjeçari Agim Visha ka tentuar të vrasë një 38-vjeçar.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se shkak i sherrit ka qenë një borxh 100 euro, që 38-vjeçari i ka pasur Agim Vishës.
I arrestuari Agim Visha, ka deklaruar se e ka parë rastësisht në lokal dhe ka shkuar për t’i kërkuar shumën e lekëve.
Fillimisht janë konfliktuar me fjalë banale dhe më pas 38-vjeçari e qëllon me shpullë Vishën. Ky i fundit nxjerr armën dhe e kërcënon. Agim Visha është person me precedent penal.
Njoftimi i policise
Tentoi të vriste me armë zjarri, një 38-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet menjëherë pas ngjarjes dhe arrestohet 50-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit (pistoletë me mulli) me municion.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas njoftimit se në rrugën “Myslym Keta”, po konflikteshin dy shtetas, njëri prej të cilëve mbante armë zjarri, kanë organizuar punën për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Respond”, u arrestua shtetasi A. V., 50 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se pasditen e djeshme, në ambientet e jashtme të një lokali, në rrugën “Myslym Keta”, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin I. D., 38 vjeç, dhe ka tentuar ta vrasë atë, me armë zjarri pistoletë me mulli, që e mbante pa leje.
Shtetasi A. V. ka tentuar të largohet, por është kapur dhe vënë në pranga nga shërbimet e Policisë, menjëherë pas ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme


