Tre banesa janë përfshirë nga flakët mbrëmjen e së hënës në lagjen “Loni Dhamo” në qytetin e Lushnjës. Banesat e prekura nga zjarri ndodhen fare pranë nënstacionit elektrik të qytetit.
Menjëherë sapo janë shfaqur flakët e para, banorët kanë njoftuar shërbimin zjarrfikës, i cili ka mbërritur me urgjencë në vendngjarje, i shoqëruar edhe nga dhjetëra efektivë të Policisë së Shtetit.
Fatmirësisht, asnjë nga banorët nuk është lënduar, pasi kanë arritur të dalin në kohë nga banesat. Një person është transportuar me ambulancë drejt spitalit, pasi është ndier keq si pasojë e tymit të dendur.
Zjarrfikësit vijojnë ende punën për shuarjen e plotë të flakëve dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit në banesa të tjera. Dy prej banesave janë shkrumbuar totalisht, ndërsa një tjetër është djegur pjesërisht.
Sipas shefit të zjarrfikësve të Lushnjës, dyshohet se zjarri ka qenë aksidental, por pritet ekspertiza për të përcaktuar shkaqet e sakta të ngjarjes.


