Policia ka vënë në pranga ish-kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Durrës, Ardian Halili, i akuzuar për ndërtim të paligjshëm në një zonë bregdetare në fshatin Shetaj të Ishmit.
Objekti në fjalë është një resort luksoz, i njohur me emrin “Restorant Saint Michelle Camping Hotel”, i cili përfshin ndërtesa banimi, ambiente me pishina, palma dhe struktura të tjera shërbimi.
Sipas hetimeve paraprake, kompleksi dyshohet se është ndërtuar pa leje në vitin 2017, periudhë kur Halili mbante funksione publike pranë Bashkisë së Durrësit.
Fillimisht, autoritetet raportuan për disa struktura të tipit “shtëpi pushimi” të ndërtuara pa autorizim, por hetimet e mëvonshme ngritën dyshime se i gjithë resorti është ngritur në mënyrë të jashtëligjshme.
Aktualisht, Prokuroria dhe Policia e Durrësit po kryejnë hetime të thelluara, duke shqyrtuar dokumentacionin në Kadastër, për të verifikuar nëse janë kryer manipulime apo shkelje ligjore gjatë procesit të regjistrimit dhe ndërtimit të kompleksit.