Deputetja e Partisë Demokratike për qarkun e Korçës, Ledina Alolli, denoncoi skandalin e shembjes së rrugës dhe shpërdorimit të taksave të qytetarëve nga drejtuesit vendorë të Bashkisë Pogradec me rrugën e shembur të Rëmenjit.
E shoqëruar edhe nga kreu lokal i selisë blu, Oligert Muçllari, ajo pa sot (24 mars) nga afër dëmet e shkaktuara dhe dëgjoi shqetësimet e banorëve, teksa bëri edhe një deklaratë publike për median, ku kërkoi marrje masash dhe mbajtje përgjegjësish.
“Jemi së bashku me kryetarin e PD, të degës Pogradec këtu fshatin Rëmenj në njësinë administrative Buçimas, për të parë nga afër problematikën e rrugës. Pamjet tregojnë se çfarë ka ndodhur me rrugën e cila është një abuzim me investimet publike dhe një model i pastër i korrupsionit. Kjo rrugë është inauguruar vetëm pak muaj më parë një investim që ka kushtuar 800 milionë lekë dhe siç e shihni rezultati është i dukshëm çka do të thotë që banorët e kësaj zone kanë probleme të mëdha sepse jeta e tyre është e pasigurt kur kalojnë këtu, një problematikë që është shfaqur edhe kohë më parë”, tha ajo mes të tjerash gjatë denoncimit.
Alolli kërkoi hetimin e ngjarjes nga Prokuroria dhe marrjen e masave, që rruga të mos rrezikonte jetët e banorëve të zonës.
“Kjo rrugë do të shkaktojë problematika të mëtejshme të cilat mund të vinë deri më bllokimin e kësaj lagjeje për të komunikuar me pjesën tjetër. Ju bëjmë thirrje organeve kompetente për të marrë masa. Të ndërhyjnë te kjo rrugë në mënyrë që të sigurojnë jetën e banorëve por ju bëjmë thirrje gjithashtu që të shohin mënyrën e kryerjes së punimeve dhe të marrin në dorëzim dosjen, e cila reflekton punimet që janë kryer në këtë rrugë dhe përgjegjësinë e kompanisë së punimeve”, deklaroi ligjvënësja.
Oligert Muçllari, kryetar i PD Pogradec, denoncoi skandalin dhe shpërdorimin e miliona lekëve nga taksat e qytetarëve, në investime që përurohen, por që shemben shumë shpejt.
“Jemi në fshatin Rëmenj për të denoncuar një rast flagrant dhe të papërgjegjshëm nga ana e bashkisë Pogradec. Kjo tregon ashtu si edhe në shumë investime të tjera të papërgjegjshme, se në këtë rast bashkia Pogradec së bashku me ata të cilët ajo ndan fondet dhe taksat e qytetarëve në mënyrë direkte duke mos i shërbyer qytetarëve, ka kryer përsëri një investim që kap vlerën e mbi 800 milionë lekëve, ç’ka do të thotë se edhe pse është inauguruar para disa kohësh, ky investim është i gjithi përtokë dhe është shembur shumë shpejt. Kjo tregon edhe njëherë papërgjeshmërinë e investimeve të bashkisë Pogradec jo vetëm në këtë fshat, por në të gjithë territorin e kësaj bashkie, cilësia e investimeve le shumë për të dëshiruar dhe është shumë e papërgjegjshme nga ana institucionale e saj”, tha ai.
Ai i bëri thirrje organeve ligjzbatuese që ta hetojnë këtë rast flagrant të abuzimit me taksat e qytetarëve dhe kryebashkiakut të dyshuar Ilir Xhakolli.
“Ju bëjmë thirje organeve ligjzbatuese ta shikojnë me vëmendje këtë rast sepse është një rast flagrant që tregon abuzimin me taksat e qytetarëve e sidomos me taksat e trefishuara të banorëve të Pogradecit që me ardhjen në krye të bashkisë së Ilir Xhakollit. Ne si PD dënojmë këto akte të papërgjgjshme dhe jemi në mbështetje të qytetarëve”, u shpreh Muçllari.


