Një aksident i rëndë automobilistik në Gjermani, ka lënë të vdekur tre shqiptarë dhe disa të tjerë të plagosur rëndë, jashtë rrezikut për jetën.
Sipas mediave gjermane, aksidenti ka ndodhur orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, teksa shqiptarët ishin duke u kthyer në banesën e tyre nga një festë familjare.
Viktimat, një burrë 53-vjeçar dhe dy gra të moshës 47 dhe 65 vjeç, si dhe gjashtë të tjerët që mbetën të plagosur, të moshës midis 20 dhe 66 vjeç, ishin duke udhëtuar me një minibus.
Shoferi i minibusit një 22-vjeçar mësohet se ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga duke u rrokullisur disa herë.
BILD shkruan se autoritetet nuk kanë konstatuar që i riu të ishte nën efektin e lëndëve narkotike apo alkoolit, por hetimet vijojnë ende.
Mbetet i paqartë shkaku i aksidentit, pasi nuk ka qenë i përfshirë asnjë automjet tjetër.
Ndërkohë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në një njofitm për mediat tha se nga autoritetet gjermane është njofuar për tre viktima dhe katër të plagosur.
Ende nuk dihet identiteti i shqiptarëve të përfshirë dhe kombësia e dy prej të lënduarve.
Njoftimi i Minsitrisë së Jashtme
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është informuar nga autoritetet gjermane për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj, pranë qytetit Koblenz, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë.
Me keqardhje njoftojmë se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe kanë ndjekur nga afër zhvillimet. Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uron shërim të plotë për të plagosurit.
Strukturat tona konsullore kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për qytetarët e prekur dhe kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës.
Për çdo informacion shtesë, lutemi të kontaktoni në: +49 1523 79 13 997