Një magazinë e mbushur me fishekzjarrë është zbuluar në Tiranë, ndërsa do tregtoheshin në mënyrë të paligjshme për festat e fundvitit.
Policia bëri me dije sot se në pranga ka rënë pronari i magazinës, 24-vjeçari me inicialet I.K., dhe po vijojnë hetimet për të zbardhur skemën dhe aktivitetin, nëse ka persona të tjerë të përfshirë.
Aksioni është koduar “Fireworks” (Fishekzjarret), me qëllim ndalimin e përdorimit të lëndëve piroteknike, në kundërshtim me rregullat dhe me kriteret.
“Konstatohet një magazinë në rrugën “Besim Fagu”, ku mbahej një sasi e madhe fishekzjarresh, me qëllim shitjen. Vihet në pranga pronari i magazinës. Sekuestrohen qindra fishekzjarre të modeleve të ndryshme, të paketuara në koli. Si rezultat i 40 kontrolleve intensive të kryera nga strukturat e DVP Tiranë, në zbatim të planit të masave me objekt kontrollet e subjekteve që shesin në mënyrë të paligjshme lëndë piroteknike/fishekzjarre, nga ana e shërbimeve të Policisë së Komisariatit Nr. 4, është konstatuar një magazinë në një garazh”, tha policia.
Si rezultat i ndërhyrjes, u kap në flagrancë edhe pronari I. K., 24 vjeç. Gjatë kontrollit në magazinë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, qindra koli me mijëra fishekzjarre të modeleve dhe madhësive të ndryshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
“Policia e Tiranës apelon për të gjithë qytetarët që të mos përdorin lëndë piroteknike, në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara në aktet në fuqi, pasi do të ndëshkohen konform ligjit. Kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje”, mbyllet njoftimi zyrtar.


