Mediat greke raportojnë se sot se nga ana e policisë shqiptare është ushtruar kontroll në banesën e prindërve të 45-vjeçarit Dhimiër Meci, i arrestuar në Greqi si pjesë e një grupi vrasësish me pagesë.
Sipas mediave greke, gjatë kontrollit, në banesë është gjetur vetëm nëna 84-vjecare e tij, ndërsa dhoma e Dhimitër Mecit është gjetur e mbyllur me çelës.
Gjatë kontrolleve janë gjetur 2 Kallashnikovë, 1 pistoletë automatike e mbështjellë me plastmas, dhjetëra fishekë disa prej të cilave brenda qeseve me oriz dhe 5 krehëra Kallashnikovi.
Sipas mediave greke, këto armë dyshohet se do kalonin ilegalisht kufirin për në Greqi.
Media greke ka publikuar dhe foto të armëve të sekuestruara gjatë operacionit, ku duken edhe mbishkrime shqip si “PUSHK DHELPRA RUSE” apo “TT RUSE”. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për armë të sekuestruara në Greqi apo Shqipëri, pasi nga autoritetet shqiptare nuk ka asnjë deklaratë zyrtare për shtyp.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se policia greke dyshon se grupi prej 4 shqiptarësh e 4 grekësh, ishte përgatitur për kryerjen e një atentati ndaj një mafiozi grek në Pirea, ndoshta rreth Krishtlindjeve, ish bashkëpunëtor i Mihali Zampounit, i ekzekutuar më parë në atentat.
Sipas burimeve, ata e kishin ndjekur viktimën e radhës dhe po planifikonin goditjen, ndoshta me një nga armët e gjetura në një apartament në Marina Zeas të Greqisë.
Po ashtu, policia ka zbuluar se i njëjti grup, veç tentativës së vrasjes së Jani Lalës dhe djegies së një karburanti, ishte autor edhe vjedhjes së një automjeti në 22 korrik 2025, të cilit i kishin vendosur targa false.
Kujtojmë se gjatë operacionit të dy ditëve më parë, ranë në pranga Dhimiter alias Dhimo Meci, 45 vjeç nga Labova e Poshtme e Gjirokastrës, Fatjon alias Fatjion Prendi, 39 vjeç nga Lezha, Andrea Brokeri, 32 vjeç nga Himara dhe u shpall në kërkim Vasil Theohari, 31 vjeç nga Krongji i Finiqit. Ata u identifikuan si pjesë e grupi edhe 4 grekë, disa prej të cilëve u arrestuan.

