Detaje të reja janë zbardhur nga vdekja e 78-vjeçarit Gëzim Vija në fshatin Bulgarec, të Korçës.
Policia konfirmon se ngjarja e sotme nuk ka të bëjë me vdekje për shkaqe natyrore por është ngjarje kriminale. 78 vjeçari është goditur në kokë me mjete të forta, çka i ka shkaktuar vdekjen.
Në komisariat janë shoqëruar të gjithë familjarët dhe të afërmit e viktimës ku u janë marrë deklarimet për konflikte të mundshme. Për të zbardhur dinamikën, motivet dhe autorin/autorët, policia dhe prokuroria po përdorin metoda speciale hetimi.
Hetimet janë përqendruar në dy pista, atë të vjedhjes me pasojë vdekjen pavarësisht se në banesën e viktimës nuk janë konstatuar vjedhje të hollash apo sende me vlerë, dhe vrasja për motive të tjera.
Në vendngjarje prej mëngjesit ka qenë edhe drejtori i policisë Vilson Bala, shoqëruar nga zëvendës drejtori i krimeve Elton Halili dhe shefi i komisariatit Faik Ruko, për të bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes e për të gjetur elementë për zbardhjen e ngjarjes.


