Situata nga moti i keq në veri të vendit dhe veçanërisht malësia e qarkut të Shkodrës mbetet ktirike.
Telefonata të shumta janë marrë mbrëmjen e sotme në Polici për bllokimin e dhjetëra familjeve dhe mes tyre fëmijë, në zonën e Koplikut, zona e Bunit dhe Bajraktarit.
“Bllokimet janë evidentuar në akse të ndryshme rrugore, nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut. Aktualisht, në këtë aks rrugor po bien reshje breshëri të alternuara me dëborë dhe ka filluar formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor”, thanë autoritetet.
Sipas raportimeve, mbi 200 mjete tentojnë të lëvizin në drejtim të Koplikut. Lëvizja është rivendosur në sajë të ndërhyrjes në terren, ku ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese, të cilat janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit rrugor.
“Prefekti i Qarkut është në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe ka kërkuar koordinim të menjëhershëm mes strukturave përgjegjëse për normalizimin e qarkullimit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në këtë kuadër, apelohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë.
Në rast nevoje ose problematikash, qytetarët ftohen të komunikojnë menjëherë me Policinë e Shtetit ose shërbimet e emergjencave.


