Ngjarja tronditëse e zbuluar më 24 korrik, ku 26-vjeçarja Ermalinda Rama akuzohet se ka mbytur me tel babain e saj, Anesti Rama, duke tentuar fillimisht ta paraqesë ngjarjen si një aksident në banjë.
Krimi dyshohet se ka ndodhur mbrëmjen e 23 korrikut. Fillimisht, vajza kishte deklaruar se i ati ishte rrëzuar, por hetimet zbuluan shenja dhune në fyt që e hodhën poshtë këtë version.
Motra e Ermalindës, vajza tjetër e viktimës, ka treguar për momentin kur ajo u lajmërua për ngjarjen.
“Më mori motra në telefon dhe më tha që babi ka rënë në banjë, më pas e fiku telefonin, marr mamin në telefon dhe i them është gjallë? Jo më tha ka vdekur, flisja shpesh në telefon nuk pashë të kishte gjë, nuk kuptova as edhe një gjë, me babin kam folur gjithmonë”, ka rrëfyer ajo për TCH.
Nëna e Ermalindës, Valbona Rama, është arrestuar gjithashtu si bashkëpunëtore në krim. Dyshohet se ka ndihmuar në fshehjen e trupit të viktimës.
Vajza e të ndjerit ka sqaruar se babai jetonte në shtëpi bashkë me të motrën dhe nënën e saj.
Ndërkohë, kryeplaku i fshatit Frashër të Fierit, ku banonte familja, ka treguar se Anesti Rama ishte i dhunuar dhe i neglizhuar nga familja.
“Anesti ka qenë burrë i mirë, punëtor, por ka pasur probleme familjare me gruan, fëmijët. Nuk shkonte mirë. Arrinte sa e linin pa bukë të shkretin, ankohej tek unë. ‘Duan të më nxjerrin nga shtëpia’ më thoshte. Ata merrnin ndihmë ekonomike, i kam ndihmuar.
Kush e di sa herë ka shkuar policia në shtëpinë e tyre. Unë nuk dija gjë, kur shkova afër banesës ishin të krimeve aty. Thanë se i kishte rënë infarkt, por e kishin mbytur. Na ka ardhur të gjithëve keq, se ishte djalë pa llafe, punëtor. Ato nuk e trajtonin mirë. Viktima punonte në një firmë private.
Ai vetëm ankohej i shkreti. E rrihnin, godisnin në syrin tim. Ça të them unë… ato ha, pi ,rri dhe punonte ai i shkreti. Jemi të prekur shumë si fshat. Janë tre vëllezër këta. Njëri prej tyre e mori në Greqi ku punoi atje dhe bëri shtëpinë. Familja i thoshin ‘ik nga shtëpia, s’të duam’”, është shprehur ai.