Një 29-vjeçar që ishte i armatosur, është arrestuar nga policia.
Aksioni i bluve, i koduar “Fokusi”, është kryer në Kurbin dhe i ndaluari është i riu me inicialet S. K., banues në Laç.
Gjatë kontrollit atij iu gjet një armë automatike, që e mbante pa leje.
“Gjatë operacionit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u ndërhy menjëherë në banesën e shtetasit S. K., 29 vjeç, në lagjen nr. 4, Laç, ku nga kontrolli u gjet 1 armë zjarri automatik me krehër dhe fishekë, e cila posedohej pa leje, si dhe një palë doreza”, bëri me dije policia vendore.
Në vijim të veprimeve procedurale mbi rastin, 29-vjeçari u arrestua në flagrancë, për veprën penale “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa sendet e kundërligjshme u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Policia po verifikon nëse mbajtja e dorezave dhe armës lidhen me ndonjë aktivitet kriminal të të ndaluarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
arma automatike


