Skemat e mbështetjes financiare për sektorin bujqësor po japin rezultat jo vetëm në rritjen e prodhimit, por edhe në një dimension shpesh të anashkaluar, formalizimin e punës në bujqësi.
Një nga kushtet bazë për të përfituar nga fondet publike është që fermerët të jenë të regjistruar dhe të kontribuojnë në sistemin e sigurimeve shoqërore. Dhe kjo ka nxitur një përfshirje gjithnjë e më të gjerë të tyre në sistem. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, numri i fermerëve të vetëpunësuar që paguajnë sigurime shoqërore arriti në 88,866 persona në vitin 2024.
Krahasuar me vitin 2020, kur regjistroheshin vetëm 46,743 kontribuues, rritja është thuajse dyfish brenda katër viteve. Bëhet fjalë për një trend të qëndrueshëm në rritje, që reflekton jo vetëm ndërgjegjësimin në rritje të fermerëve, por edhe ndikimin konkret të politikave publike që lidhin ndihmën financiare me formalizimin.
STATISTIKAT
Vetëm në harkun e një viti, nga 2023 në 2024 janë shtuar 13,145 fermerë, që kanë nisur të kontribuojnë në skemën e sigurimeve, duke treguar një rritje domethënëse për një periudhë kaq të shkurtër. Kjo rritje është e shpërndarë gjerësisht në të gjithë vendin, por me intensitet të ndryshëm sipas rajoneve. Sipas ndarjes gjeografike, 74.6% e kontribuuesve janë në zonat fushore, ku dhe intensiteti i veprimtarisë bujqësore është më i lartë për shkak të terrenit dhe kushteve të favorshme për kultivim.
Pjesa tjetër, 25.4%, u përket zonave malore, ku edhe përkundër sfidave më të mëdha logjistike e infrastrukturore, numri i fermerëve që përfshihen në skemat e kontributit social po rritet ndjeshëm. Edhe në aspektin ekonomik, kjo përfshirje masive në sigurimet shoqërore ka sjellë një ndikim pozitiv në arkën publike. Vlera totale e kontributeve të paguara nga fermerët në vitin 2024 llogaritet në 32 milionë euro, ku 79.3% e kësaj shume vjen nga fermerët në zonat fushore dhe 20.7% nga zonat malore. Ky është një tregues i qartë jo vetëm i formalizimit, por edhe i rritjes së qëndrueshme të ekonomisë së vogël rurale.
Nëse analizohen të dhënat sipas qarqeve, shihet se Fieri mban vendin e parë me 16% të numrit total të fermerëve kontribuues, duke konfirmuar statusin e tij si një nga qarqet me bujqësinë më intensive në vend. Pas Fierit, renditen Elbasani, Vlora dhe Korça, ndërsa Gjirokastra dhe Kukësi mbeten qarqet me numrin më të ulët të fermerëve të regjistruar në skemën e sigurimeve. Rritja e formalizimit në bujqësi nuk vjen rastësisht. Ajo është rezultat i ndërhyrjeve të synuara të qeverisë nëpërmjet Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi, e cila për çdo vit buxheton rreth 30 milionë euro, por edhe përmes Skemës së Investimeve, që fokusohet në mbështetjen e zgjerimit të kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese në zonat rurale.
/Gazeta Panorama