Intervistë me Estela Koçi, administratore e shoqërisë administruese Credins Invest
Një ligj i ri për fondet private të pensioneve është domosdoshmëri, për t’iu përgjigjur zhvillimeve të tregut në dekadën e fundit. Estela Koçi, Drejtore e Përgjithshme e shoqërisë administruese Credins Invest, thotë se projektligji i propozuar nga AMF ka një frymë më gjithëpërfshirëse dhe në tërësi, sjell zhvillime pozitive në rregullimin e këtij tregu.
Megjithatë, ajo mendon se ky projektligj duhet të garantojë përputhshmëri me ligjet e tjera në fuqi dhe në veçanti me atë për profesionet e vështira, duke përfshirë edhe fondet e pensioneve të detyrueshme që ky ligj parashikon. Gjithashtu, ajo mendon se fondet e pensionit duhet të lejohen të investojnë edhe në pasuri të paluajtshme.
Cilat janë qëndrimet tuaja kryesore rreth projektligjit “Për fondet e pensionit privat”, të hedhur për konsultim publik nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare?
Projektligji i ri për fondet e pensioneve është i shumëpritur nga tregu i shoqërive administruese të fondeve, duke konsideruar që ligji aktual është i miratuar në dhjetor të vitit 2009 dhe nuk ka pasur ndryshime të mëvonshme, pavarësisht se kushtet e tregut kanë ndryshuar në vite.
Fryma e projektligjit në përgjithësi është shumë më gjithëpërfshirëse në krahasim me ligjin aktual, duke sjellë në dispozita të veçanta të tij, një përafrim me direktivën IORP. Ndryshimet më kryesore pozitive që projektligji sjell janë:
Mundësia që shoqëritë administruese të administrojnë fonde me pjesëmarrje të hapur dhe fonde me pjesëmarrje të mbyllur me kontribute të përcaktuara nëpërmjet një sponsori, i cili mund të jetë një punëdhënës, ose një grupim punëdhënësish, që krijojnë një fond të mbyllur pensioni, me një numër minimal anëtarësh.
Rritja e transparencës në informimin e anëtarëve. Janë përcaktuar mënyrat, mjetet, afatet dhe përmbajtja e materialeve informuese për të gjithë shoqëritë administruese.
Rritja e lehtësive fiskale të individit dhe punëdhënësit.
Aplikimi i tatimit vetëm për kthimin nga investimi për anëtarët që u lind e drejta e përfitimit.
Zgjerimi i gamës së investimeve të lejuara për asetet e Fondit.
Përqindja maksimale e ngarkuar anëtarit për administrimin e fondit është ulur nga 3% në 2.5%, etj.
Krahas risive pozitive, elemente që kërkojnë përmirësim nisur nga propozimet e tregut me një eksperiencë të konsiderueshme në fushën e pensioneve, janë:
Përfshirja në këtë projektligj e fondeve të pensionit (të detyrueshme), rregullimi i të cilave bëhet edhe me ligje të tjera (ligji për profesionet e vështira); lehtësimi i masave administrative të parashikuara në projektligj; projektligji duhet të sigurojë përputhshmëri me dispozitat e ligjeve të tjera në fuqi; pavarësisht disa përafrimeve pozitive me Direktivën BE 2016/2341, mendojmë që fryma në tërësi e projektligjit duhet të jetë më afër direktivës.
Projektligji parashikon rritjen e pragut të përjashtimit nga tatimi për kontributet, në vlerën e pagës minimale ligjore, si dhe shtrirjen e tatimit në përfitim vetëm mbi kthimet nga investimi. Mendoni se këto incentiva janë të kënaqshme dhe të mjaftueshme për t’i bërë më atraktive fondet private të pensioneve?
Nisur nga eksperienca 10-vjeçare e tregut të fondeve të pensioneve vullnetare, kërkesa për krijimin dhe rritjen e lehtësive fiskale për individët dhe punëdhënësit që krijojnë skema profesionale, ka qenë e vazhdueshme nga shoqëritë administruese të fondeve.
Incentiva fiskale për përjashtimin e kontributeve nga tatimi ka filluar të zbatohet vetëm në vitin 2015, dhe ky ka qenë deri më sot një zbatim i pjesshëm për anëtarët individë, që shpesh ka rezultuar në tatim të dyfishtë të individit. Ndër vite, shoqëritë administruese kanë kërkuar të adresohet çështja e tatimit të përfitimeve, duke dhënë edhe alternativa të ndryshme, të cilat synonin incentivimin e skemave./Monitor
Siç edhe ju e përmendni, projektligji ka sjellë ndryshim mjaft pozitiv dhe thelbësor në lehtësitë fiskale, qoftë për individin, ashtu edhe për punëdhënësin.
Më konkretisht, projektligji i ri parashikon që kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në fondin e pensionit të vlerësohen shpenzim operativ, deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës, të barabartë me pagën minimale vjetore të miratuar në shkallë vendi dhe kjo shumë vlerësohet shpenzim i njohur, për qëllime të tatimit mbi fitimin.
Për sa i takon individit, projektligji parashikon që kufiri maksimal mujor për lehtësitë tatimore është deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi. Në vijim paraqiten në formë tabelore ndryshimet e lehtësive fiskale:
Përcaktimi në projektligj i pagës minimale, e cila rishikohet periodikisht, si kufi maksimal i zbritshëm për efekt tatimi, përbën një avantazh të kënaqshëm për individin dhe punëdhënësin, mbështetur në kushtet aktuale të tregut. Krahas tyre, një ndryshim tejet pozitiv dhe i kërkuar është heqja e aplikimit të tatimit mbi të ardhurat mbi totalin e përfitimit nga anëtari në momentin e përfitimit të pensionit.
Projektligji ka parashikuar që “përfitimet e marra nga anëtari i fondit të pensionit, tatohen vetëm për kthimin nga investimi me normën në fuqi për tatimin mbi të ardhurat personale”. Përveç anës financiare, vlerësojmë se ndryshimet e propozuara krijojnë lehtësi edhe në paraqitjen e dokumentacionit të kërkuar për anëtarët aktuale dhe të rinj, në përfitimin e pensionit.
Besoni se ndryshimet e parashikuara në politikat e investimit krijojnë hapësira për të përmirësuar kthimet e fondeve të pensionit? Cilat janë risitë më domethënëse, në këndvështrimin tuaj dhe a mund të sugjeroni ndryshime të tjera, veç atyre që propozon AMF?
Projektligji ka zgjeruar gamën e investimeve të lejuara, në të cilat mund të investohen asetet e Fondit të Pensioneve me qëllim diversifikimin e portofolit, për të siguruar një normë kthimi të përshtatshme për anëtarët. Nisur nga investimet e lejuara, mund të krijohen portofola me karakteristika të ndryshme risku dhe kthimi, për fondet me pjesëmarrje të hapur dhe ato me pjesëmarrje të mbyllur.
Në ndryshim nga ligji dhe rregullorja aktuale e investimeve të lejuara, projektligji parashikon investimin në aksione dhe kuota të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, të cilat janë të licencuara dhe mbikëqyren nga autoritetet përkatëse, duke përfshirë edhe sipërmarrjet e investimeve kolektive të licencuara në Republikën e Shqipërisë.
Gjithashtu, është lejuar edhe investimi në tituj borxhi të emetuara nga bankat që nuk janë të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar. Përveç pikave të parashtruara për përmirësim më sipër, vëmë në dukje se direktiva e BE 2016/2341 konsideron edhe investimet në pasuri të paluajtshme si një aset afatgjatë, i cili i përshtatet edhe natyrës afatgjatë të fondit të pensioneve.
Për këtë arsye, në komentet e dërguara mbi projektligjin, Shoqëria ka propozuar përfshirjen e këtij aseti në investimet e lejuara, të parashikuara në projektligj dhe presim që këto propozime të merren në konsideratë nga organet përkatëse.
INTERVISTA
Ndryshimet e propozuara ndihmojnë në rritjen e tregut, por nuk i zgjidhin përfundimisht problemet
Intervistë me Elton Korbi, Drejtor i Përgjithshëm i shoqërisë administruese Albsig Invest
Projektligji i ri për fondet private të pensioneve adreson në mënyrë të kënaqshme disa prej problematikave që janë vërejtur në dekadën e fundit, por sërish incentivat fiskale që propozohen nuk janë të mjaftueshme.
Elton Korbi, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë administruese, Albsig Invest, thotë se aktorët e tregut kishin propozuar përjashtimin e plotë të pensioneve private në momentin e përfitimit, ndërsa AMF ka propozuar përjashtimin vetëm për pjesën e kontributeve.
Në tërësi, z. Korbi mendon se projektligji mund të ndikojë dukshëm në shtimin e anëtarëve në fondet e pensionit, megjithatë nuk do t’u japë zgjidhje përfundimtare problemeve të pensioneve në Shqipëri.
Sipas tij, nevojiten forma të tjera për stimulimin e fondeve të pensionit privat, duke realizuar një kombinim ndërmjet bërjes së detyrueshme të pensioneve private, sidomos për kategori të caktuara punësh, apo profesione të caktuara, dhe njëkohësisht duke dhënë stimuj monetarë për anëtarët.
Cilat janë qëndrimet tuaja kryesore rreth projektligjit “Për fondet e pensionit privat”, të hedhur për konsultim publik nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare?
Siç jeni në dijeni, ligji aktual “Për fondet e pensionit vullnetar” është miratuar në fund të vitit 2009 dhe nuk ka pasur ndryshime që nga ajo kohë. Që nga miratimi i ligjit, tregu i pensioneve private ka pasur zhvillime të ngadalta, megjithatë në vitet e fundit është vërejtur që kërkesa për sigurimin e një pensioni privat në Shqipëri ka ardhur gjithnjë në rritje.
Ligji aktual për kohën kur është miratuar ka shërbyer si një shtysë e arsyeshme për personat që, përveç pensionit shtetëror, të kishin edhe një pension plotësues. Kohët e fundit është vërejtur se stimujt që ligji aktual jep për anëtarët e fondeve të pensionit janë të pamjaftueshme për një pjesë të gjerë të anëtarëve potencialë, prandaj nga shoqëritë administruese të fondeve të pensionit, por edhe nga anëtarët potencialë është kërkuar me ngulm hartimi i një ligji të ri që do të ishte i përafruar me standardet e aplikuara në Bashkimin Europian, më konkretisht direktivën IORP II, por megjithatë, duke marrë parasysh kërkesat dhe kushtet e Shqipërisë.
Projektligji “Për fondet e pensionit privat” i nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është hartuar nga kjo e fundit dhe gjatë periudhës shtator – tetor 2021 janë dërguar opinione paraprake nga shoqëritë administruese të fondeve të pensionit, si dhe ka pasur diskutime dhe takime paraprake teknike për përmirësimin dhe përshtatje më të mirë të këtij projektligji.
Për sa i përket variantit të projektligjit, të nxjerrë për konsultim publik, është e rëndësishme të theksohet se në përgjithësi ka sjellë disa përmirësime në trajtimin e disa problematikave në administrimin e fondeve, ofron një kategorizim të ri të fondeve të pensionit, rrit pragun e përjashtimit nga tatimi për të ardhurat personale, duke e lidhur atë me pagën minimale, propozon tatimin vetëm për kthimin nga investimi në momentin e tërheqjes së fondeve në formë pensioni. Por, nga ana tjetër, shton disa kërkesa të reja për shoqëritë administruese që do të rezultojë në kosto për implementimin e tyre.
Më konkretisht, sipas projektligjit, fondet ndahen në fonde me pjesëmarrje të hapur dhe fonde me pjesëmarrje të mbyllur, kjo e fundit është një nga risitë e propozuara në këtë projektligj. Fondet me pjesëmarrje të mbyllur do të krijohen vetëm për punëmarrësit e subjekteve që mund të jenë disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë apo bashkim sindikatash.
Fondi me pjesëmarrje të mbyllura do t’u dedikohet vetëm këtyre subjekteve dhe nuk do të akomodojë në këtë fond subjekte të tjera. Projektligji të gjitha këto subjekte i përcakton si “sponsor”, në përputhje dhe me direktivën e Bashkimit Europian. Ndërsa fondet me pjesëmarrje të hapur do t’u ofrohen të gjithë anëtarëve që nuk janë pjesë e një sponsori, siç funksionojnë fondet me ligjin aktual.
Një ndryshim shumë i rëndësishëm është tatimi vetëm për kthimin nga investimi në momentin e tërheqjes së fondeve në formë pensioni, duke qenë se interesat nuk janë tatuar gjatë fazës së akumulimit, dhe rritja e tavanit të kontributeve për të përfituar nga zbritshmëria e tatimit mbi të ardhurat personale, si dhe lidhja e kësaj të fundit me pagën minimale të miratuar në shkallë vendi.
Tatimi vetëm për kthimin nga investimi në momentin e tërheqjes së fondeve në formë pensioni nënkupton që, pavarësisht se anëtarët do kenë përjashtuar kontributin e tyre nga tatimi për të ardhurat personale gjatë viteve të akumulimit, ata do të paguajnë tatim vetëm për interesat e marra nga investimi i këtyre kontributeve dhe jo më për të gjithë shumën siç është aktualisht.
Një faktor i rëndësishëm është propozimi në projektligj që përjashtimi nga tatimi të jetë sa paga minimale, që do të thotë se me rritjen e pagës minimale, edhe ky përjashtim nga tatimi do të rritet. Nga ana tjetër, nëse punëdhënësi do të kontribuojë për punëmarrësit e tij, kontributi i bërë nga ky punëdhënës do të njihet si shpenzim i njohur për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin deri në shumën e barabartë me pagën minimale vjetore të miratuar në shkallë vendi.
Kjo nënkupton që edhe punëdhënësit do të mund të paguajnë 30,000 lekë në muaj, në një fond pensioni privat për çdo punëmarrës dhe ky kontribut të njihet si shpenzim i njohur për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin. Duhet theksuar fakti që projektligji propozon shtimin e disa kërkesave të reja për transparencën ndaj klientëve, të cilat vlerësojmë se përmirësojnë mënyrën e paraqitjes dhe gamën e informacioneve për klientët, megjithatë edhe aktualisht shoqëritë administruese ofrojnë një informacion transparent dhe të plotë për anëtarët.
Këto kërkesa shtesë për transparencën do të shtojnë kostot për implementimin e tyre në sistemet informatike të shoqërive administruese, duke rënduar mbi gjendjen financiare të këtyre shoqërive, prandaj është e nevojshme një analizë më e thelluar për kosto-përfitimet që sjellin këto kërkesa të propozuara në projektligj.
Projektligji parashikon rritjen e pragut të përjashtimit nga tatimi për kontributet, në vlerën e pagës minimale ligjore, si dhe shtrirjen e tatimit në përfitim vetëm mbi kthimet nga investimi. Mendoni se këto incentiva janë të kënaqshme dhe të mjaftueshme për t’i bërë më atraktive fondet private të pensioneve?
Ashtu siç u theksua më sipër, projektligji parashikon rritjen e pragut të përjashtimit nga tatimi për kontributet si nga punëmarrësi apo individi, ashtu edhe nga punëdhënësi si dhe lidhje e këtij përjashtimi me vlerën e pagës minimale.
Gjithashtu projektligji parashikon shtrirjen e tatimit në përfitim vetëm mbi kthimet nga investimi, duke qenë se interesat nuk janë tatuar gjatë fazës së akumulimit. Në vlerësimin tonë, iniciativat e propozuara në këtë projektligj janë të kënaqshme, por të pamjaftueshëm për t’i bërë më tërheqëse fondet private të pensioneve.
Themi që këto ndryshime janë të kënaqshme, duke parë që ka përmirësime të dukshme në lidhje me rritjen e pragut të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat personale për anëtarin dhe për punëdhënësin, në rastet e skemave të përbashkëta.
Por, nga ana tjetër, e vlerësojmë si të pamjaftueshme, pasi nga ana e shoqërive administruese u propozua përjashtimi i plotë nga tatimi në momentin e përfitimit të pensionit, ndërkohë që u vendos të propozohej tatimi në përfitim vetëm mbi kthimet nga investimi.
Për më tepër që shqetësimi i anëtarëve për dhënien e një sigurie juridike për mbajtjen e pandryshuar të normës së tatimit mbi kthimet nga investimi në momentin e tërheqjes së pensionit, nuk u pasqyrua në projektligjin e nxjerrë për konsultim.
Për ta përmbledhur, vlerësojmë se iniciativat e ndërmarra në projektligj do të ndikojnë dukshëm në shtimin e anëtarëve në fondet e pensionit ekzistuese apo të reja që do krijohen. Megjithatë nuk do t’u japë zgjidhje përfundimtare problemeve të pensioneve në Shqipëri pasi mendojmë se ka ardhur momenti për të gjetur forma të tjera për stimulimin e fondeve të pensionit privat, duke realizuar një kombinim ndërmjet bërjes së detyrueshme të pensioneve private, sidomos për kategori të caktuara punësh apo profesione të caktuara, dhe njëkohësisht duke dhënë stimuj monetar për këdo që anëtarësohet në fonde pensioni privat.
Besoni se ndryshimet e parashikuara në politikat e investimit krijojnë hapësira për të përmirësuar kthimet e fondeve të pensionit? Cilat janë risitë më domethënëse, në këndvështrimin tuaj dhe a mund të sugjeroni ndryshime të tjera, veç atyre që propozon AMF?
Projektligji propozon zgjerimin e gamës së instrumenteve financiare ku fondet e pensionit privat mund të investojnë asetet e tyre, kuptohet duke parashikuar dhe kufizime përkatëse. Një nga risitë që mund të ketë ndikim pozitiv në periudhën afatshkurtër është mundësia e fondeve të pensionit për të investuar në tituj borxhi të emetuara nga bankat që nuk janë të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar.
Megjithatë investimi në këto instrumente nuk duhet të tejkalojë 5% të vlerës së aseteve të fondit të pensionit në total, si dhe nuk duhet të investohen më tepër se 2% të vlerës së aseteve të fondit, të emetuara nga një emetues i vetëm.
Është e rëndësishme të theksohet se në ligjin aktual parashikohen hapësira të mjaftueshme për investimin e aseteve në instrumente të tjerë, përveç titujve të emetuara dhe garantuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, siç investojnë të gjitha fondet e pensionit aktualisht në treg.
Problemi në këtë rast është tregu i vogël i pensioneve private, si dhe kërkesa e ulët e anëtarëve për marrjen e rreziqeve më të larta kundrejt një kthimi më të lartë për fondet e tyre të pensionit. Një tjetër rrezik që do të shtohet në rastin e investimeve të fondeve të pensionit jashtë Republikës së Shqipërisë do të ishte dhe kursi i këmbimit, duke qenë se të ardhurat do jenë kryesisht në monedhën vendase Lek, ndërsa investimet do të kryheshin në monedhat Euro apo USD.
Me rritjen e tregut të pensioneve private dhe veçanërisht me gjetjen e mekanizmave të duhur për aktivizimin e shtyllës së dytë të pensioneve, përveç diferencimit nëpërmjet kostove të aplikuara, shoqëritë administruese do të gjejnë mënyra për ofrimin në tregun e fondeve të pensionit që do kenë kthime të ndryshme kundrejt rreziqeve që shoqëron çdo fond.
Në kushtet aktuale të fondeve të pensionit parashikojmë që edhe për një periudhë afatmesme, fondet e pensionit me një politikë investimit në obligacione të shtetit shqiptar do të vijojnë të jenë një alokim i përshtatshëm për anëtarët aktualë dhe potencialë, të cilët janë shumë të ndjeshëm ndaj riskut, dhe duan që kursimet e tyre për pension t’i çojnë në investime të sigurta në treg.
Gjithashtu, obligacionet afatgjata të emetuara dhe garantuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë ofrojnë një normë të mirë interesi në krahasim me alternativat e tjera që ofrohen në vend për kursim. Me shtimin e anëtarëve dhe volumeve të kontributeve, shoqëritë administruese mund të mendojnë hapjen e fondeve të reja me politika investimi me rrezik më të lartë dhe padyshim, me kthime më të larta./Monitor



