Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar pas dy ditësh lidhur me zjarrin që shkrumboi dhjetëra biznese në tregun e “5 Majit” në Tiranë, mbrëmjen e 8 janarit.
Sipas policisë, shkak për zjarrin në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, dyshohet se ka qenë një shkëndijë elektrike.
“Më datë 08.01.2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, ku për pasojë ka patur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental. Materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme”, njofton policia.
tregtarët kanë deklaruar se dëmi financiar është tejet i konsiderueshëm, pasi i gjithë malli që shisnin ishte aty.
“Unë kam pasur dyqanin më të vogël këtu. Malli është më tepër se 200 milionë lekë, unë më i vogli, po të tjerët që kanë më shumë. Unë tregtoja çorape dhe geta, streçe, veshmbathje. Unë kisha një, vajza kishte dy, u dogj komplet, ka katër kontejnerë brenda” u shpreh Ferdinant Martaneshi për gazetarët, njëri prej tregtarëve të prekur nga zjarri.
Panorama Online ka siguruar edhe pamjet që tregojnë momentin kur ka nisur zjarri në zonën e tregut pranë “5 Majit”.
Siç shihet në këto pamje të siguruara nga gazetarja Xhensila Kodra, fillimisht nga një strukturë ka dalë tym dhe më pas flakët përhapen me shpejtësi.
Deri më tani të paktën 50 subjekte që ushtronin veprimtari tregtare në kapanonin ku nisën flakët, janë djegur plotësisht. Por, fatmirësisht nuk pati për njerëz të lënduar.


