Pep Guardiola është shpallur trajneri më i mirë i Premier League në sezonin që po përfundon. Trajneri i Manchester City e ka merituar këtë vlerësim pasi ka siguruar titullin e katërt radhazi me klubin anglez, diçka e pandodhur kurrë më parë.
Spanjolli triumfoi ndaj Mikel Arteta të Arsenalit, Andoni Iraola të Bournemouth, Unai Emery të Aston Villa dhe Jürgen Klopp të Liverpool-it. “Dëshiroj ta ndaj këtë çmim, veçanërisht me Mikel Arteta, për punën e jashtëzakonshme që ka bërë deri në ndeshjen e fundit, duke na shtyrë në limite, – ka thënë Guardiola.
– Dua të përmend edhe Klopp, për betejat e paharrueshme që kemi pasur ndër vite. Po kështu Unai Emery, për arritjen e diçkaje aq të pabesueshme, sa çuarja e Aston Villa në Ligën e Kampionëve. Vlerësoj shumë edhe Andoni Iraola me Bournemouth, për atë që ka arritur në sezonin e tij të parë në Premier League. Është nder të jem përkrah tyre dhe ta fitoj këtë çmim. Do t’i mbrojmë arritjet tona sa më mirë në të ardhmen”.
Kjo është hera e pestë që Guardiola e fiton këtë çmim, pas sezoneve 2017-2018, 2018-2019, 2020-2021 dhe 2022-2023, duke u bërë trajneri i dytë më produktiv në historinë e Premier League, pas vetëm Alex Ferguson, i cili e fitoi këtë çmim 11 herë me Manchester United.
Ja fituesit e këtij çmimi, top-trajneri i sezonit në Premier League, gjatë 7 viteve të fundit:
2017/18, Pep Guardiola
2018/19, Pep Guardiola
2019/20, Jurgen Klopp
2020/21, Pep Guardiola
2021/22, Jurgen Klopp
2022/23, Pep Guardiola
2023/24, Pep Guardiola
Pep ka fituar pesë çmime të trajnerit më të mirë të Premier League në shtatë sezonet e fundit