Fiona Papajorgji është zgjidhur kryetare e Gjykatës Kushtetuese për një mandat 3-vjeçar, duke pasur në këtë detyrë gjyqtaren Holta Zaçaj.
Vakanca për kryetaren e GJK-së u krijua pas përfundimit të mandatit të Holta Zaçajt në mars të këtij viti, ndërsa Papajorgji ishte kandidatura e vetme në garë për drejtimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese zhvilloi sot, më 18 dhjetor 2025, seancën për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Në përfundim të procesit të votimit, në bazë të parashikimeve ligjore, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me vendimin nr.14, datë 18.12.2025, zgjodhi njëzëri zonjën Fiona Papajorgji në detyrën e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ky vendim i GjK i njoftohet Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetarit të Gjykatës së Lartë.
Kush është Fiona Papajorgji?
E lindur më 12.03.1976 në Vlorë. Diplomuar në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Barit, Itali. Në vitin 2012 mori gradën “Doktor i Shkencave Juridike” nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Barit. Nga viti 2000 deri në vitin 2008 ka punuar si asistente avokate dhe më vonë si avokate në disa firma avokatie në Bari.
Nga viti 2009 deri në vitin 2011 ka shërbyer si avokate në Departamentin e Studimeve, Kërkimeve dhe Publikimeve në Gjykatën Kushtetuese. Nga viti 2011 deri në vitin 2019 ka shërbyer si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese.
Që nga viti 2007 e në vazhdim është angazhuar në aktivitete mësimdhënie si lektore e së Drejtës Publike në disa universitete. Ka ofruar ekspertizë ligjore në disa projekte në Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, në procesin e përafrimit të legjislacionit etj. Është autore e disa artikujve shkencorë në fushën e së drejtës kushtetuese.
Në vitin 2019 ajo është angazhuar nga Shkolla e Magjistraturës si profesoreshë e lirë për Programin e Trajnimit Fillestar. Në nëntor të vitit 2019 ajo është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.


