Drejtoresha e Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini tha se nuk ka arsye për mbylljen e çerdheve apo kopshteve, pasi kjo kategori nuk përbën rrezik. Ndër të tjera, Tomini këshilloi të evitohen të gjitha grumbullimet për festat e fundvitit, për të parandalur kështu përhapjen e virusit.
“Sa i përket çerdheve dhe kopshteve, nuk kemi evidentuar trend në rritje, në moshën 0 deri në 4 vjec incidenca është shumë e ulët. Nuk kemi evidentuar shpërthime masive në çerdhe apo kopshte. Grumbullimet masive dhe festat sigurisht që janë element që duhet të priovohen, të ndalohen. Tani e tutje është e mirë të festojmë në familjen e ngushtë”,- tha Tomini.
Sakaq, kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli shtoi se situata po ndryshon me shpejtësi dhe për festa, në bare dhe restorante mund të mblidhen vetëm 10 persona dhe këto biznese mbyllen pas orës 22.00.
“Jemi akoma disa javë larg Krishtlindjeve. Dhe situata shikohet që po ndryshon me shpejtësi. Jemi sot në vendimin që nuk do të ketë më shumë se 10 veta në bare e restorante dhe do të jenë të mbyllura pas orës 22.00. Dhe, thamë që kjo është pa afat. Do të shohim sesi do shkojë më vonë dhe ndoshta mund të ndryshojë , shpresojmë të ndryshojë për mirë.”