Në një mbrëmje gala në pallatin e Brigadave në Tiranë kushtuar turizmit, inovacionit dhe promovimit të destinacioneve shqiptare, Festa e Birrës Korça u nderua me çmim në “TEA Awards 2026”, event i organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit në bashkëpunim me Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Zana Çela tha gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit se “Eventi më i mirë i festave lokale është Birra Korça. Ky është çmimi nga juria e aplikacionit TEA që kanë klikuar më së shumti pikërisht festën e Birrës Korça ndër festat lokale”.
Ky vlerësim erdhi si një dëshmi e ndikimit që Festa e Birrës Korça ka pasur ndër vite në promovimin e turizmit, kulturës dhe identitetit shqiptar, duke u kthyer në një nga eventet më të rëndësishme dhe më të frekuentuara në vend. Përmes atmosferës festive, traditës, muzikës dhe mikpritjes karakteristike korçare, kjo festë ka arritur të tërheqë mijëra vizitorë vendas dhe të huaj, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe turistik të qytetit të Korçës.
Festa e Birrës lidhet ngushtë me historinë e “Birra Korça”, birrës së parë shqiptare, e themeluar në vitin 1928 dhe e kthyer ndër dekada në një simbol identiteti për qytetin e Korçës dhe traditën shqiptare të prodhimit.
Me historinë, cilësinë dhe emrin e saj të njohur, “Birra Korça” ka qenë jo vetëm pjesë e kulturës shqiptare, por edhe një ambasadore e rëndësishme e promovimit të vendit tek turistët vendas dhe të huaj. Pikërisht kjo lidhje mes traditës, trashëgimisë dhe zhvillimit modern të turizmit e ka bërë Festën e Birrës një nga aktivitetet më të rëndësishme verore në Shqipëri, dhe për këto vlera mori vlerësim nga “TEA Awards 2026”, një event që synon të promovojë përdorimin e teknologjisë në zhvillimin e turizmit shqiptar, duke vlerësuar eventet dhe bizneset që kanë kontribuar.
Organizatorët e eventit theksuan se synojnë të krijojnë një kulturë të re promovimi dhe bashkëpunimi mes institucioneve dhe sektorit privat, duke e kthyer turizmin shqiptar në një histori suksesi të mbështetur nga inovacioni digjital.


