113-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë u përkujtua sot në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, e cila organizoi Dhoksologjinë e Flamurit, një shërbesë e posaçme e kushtuar nderimit të simbolit kombëtar dhe lutjes për paqe e harmoni në vend.
Ceremonia po drejtohet nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Joan, i cili udhëheq meshën solemne në praninë e klerikëve, besimtarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore.
Kjo meshë tradicionale kryhet për herë të parë në kryeqytet, pasi më herët Kryepeshkopi Joan e ka celebruar atë gjatë kohës kur shërbente si mitropolit i Korçës.
Shërbesa konsiderohet një moment i rëndësishëm reflektimi shpirtëror, ku theksohen uniteti, vlerat kombëtare dhe roli i fesë në forcimin e harmonisë shoqërore.


