Rreth 400 mijë pula kanë ngordhur në Shqipëri si pasojë e gripit të shpendëve. Fatmirëisht, në 24 orët e fundit nuk është regjistruar asnjë rast i ri.
Në një konferencë për mediat, Zv/ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci deklaroi se nuk ka vatra të reja infeksioni ndërkohë që po vazhdon monitorimi mbi situatën epidemiologjike të shfaqjes së influencës aviare me qëllim marrjen e masave kufizuese për importin në vend.
Ajo theksoi se konsumatori nuk rrezikohet nga konsumimi i mishit apo vezëve të gatuara me me temperature më të larta se 70 gradë Celsius siç është edhe procedura normale e gatimit.
Gjeci u bëri thirrje fermerëve që hasin raste të dyshimit të gripit të shpendëve të kontaktojnë veterinerin.
“Sigurojmë konsumatorin se ushqimet në tregun tonë, në qendrat e licensuara janë të sigurta. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperature më të larta se 70 gradë Celsius siç është edhe procedura normale e gatimit.
U bëjmë me dije shtetasve shqiptarë që në rast të dyshimit se kanë shpendë të sëmurë në oborret e tyre të kontaktojnë menjëherë veterinerin zyrtar të zonës ose të telefonojnë falas në numrin e gjelbër 0800 33 66″, tha ajo ndër të tjera.
Asgjësimi i shpendëve të prekura nga gripi
Një ditë më parë, zëvendësministrja Gjeçi deklaroi se vijon puna për asgjësimin e shpendëve të zbuluara si të prekura nga sëmundja e gripit.
Sipas saj, nuk kishte raste të tjera të përhapjes në qytete të tjera, ndërsa shtoi se, po punohet që të parandalohet përhapja e gripit të pulave në fermat e tjera. Gjeçi ka deklaruar se ushqimet që po tregtohen nuk kanë rrezik dhe se ato janë të kontrolluara.
“Në të gjithë territorin e vendit vazhdon procesi i eliminimit dhe groposjes së shpendëve të ngordhur sipas Planit të Kontigjencës dhe protokolleve përkatëse duke zbatuar rregullat e mirëqenies së kafshëve në maksimumin e mundësive reale logjistike.
AKVMB ka vazhduar monitorimin e situatës me veterinerët zyrtarë të shërbimit me kontrolle në ferma me drejtim për prodhim vezë, mishi dhe miks, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga kontrollet e kryera për monitorim, situata paraqitet e shëndetshme, pasi nuk ka vatra të tjera të dyshuara. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po vazhdon rregullisht kontrollet në të gjithë territorin e vendit dhe nuk janë konstatuar shkelje apo problematika.
Gjithashtu, u miratua urdhri Nr.131, datë 25.3.2022 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla” dhe po vijojmë bashkëpunimin me njësitë e bashkëqeverisjes vendore në lidhje me marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura të pamiratuara për shitjen e tyre, përfshirjen e trupës veterinare në rritjen e vigjilencës dhe ndërgjegjësimit të fermerëve”, tha Gjeçi të shtunën.
Konfirmohen vatrat e gripit të shpendëve në Fier, Divjakë dhe Devoll
Zv/ministrja e Bujqësisë Ermira Gjeci deklaroi të premten se janë konfirmuar dy vatra të reja me grip shpendësh në vendin tonë, Fier, Divjakë dhe Devoll.
Ajo tha se ka vazhduar monitorimi në të gjithë vendin. Gjeci u shpreh se AKU ka kryer kontrolle në të gjithë vendin ndërsa shtoi se policia dhe pushteti vendor duhet të bashkëpunojnë në aksionin për ndalimin e shitjes së pulave në treg.
“Ka vazhduar monitorimi i situiatës në të gjithë vendin. AKU ka kryer kontrolle në të gjithë vendin. Policia e shtetit. Prefektët dhe kryetarët e bashkive janë në bashkëpunim për të ndaluar çdo tentativë të shkeljes së ligjit.
Sigurojmë konsumatorët se nuk ka asnjë rrezik nga vezët dhe mishi i blerë në vendet e cerifikuara dhe të gatuara me më shumë se 70 gradë. Në faqen tona gjeni informacionin e nevojshëm për qytetarët dhe fermerët”, deklaroi Gjeci.
Gripi i shpendëve në qarkun e Dibrës, Korçës dhe Durrësit
Të enjten, gripi i shpendëve u konfirmua në fshatrat e Divjakës. Neës 24 bëri me dije se dolën analizat e pulave të ngordhura në fshatin Gur të Divjakës, ku është konfirmuar prezenca e virusit H5N8.
Krahas Divjakës prezenca e gripit të shpendëve është konfirmuar në qarqet e Dibrës, Korçës dhe Durrësit. Vetëm në harkun kohor të 24-orëve të fundit kanë ngordhur më shumë se 23 000 pula, duke e çuar në 832 mijë numrin e atyre që kanë ngordhur që nga data 7 mars, kur u shfaqën shenjat e para të sëmundjes së konfirmuar pas gati dy javësh, raportoi Gazeta Shqiptare më herët.



