Gjykata e Sarandës ka ndryshuar masat e sigurisë për dy efektivët e Komisariatit të Sarandës, Kristofor Shkrepa dhe Kastriot Satka, të arrestuar tre ditë më parë pas urdhër-ndalimeve të lëshuara nga Prokuroria, në kuadër të hetimeve për favorizim të ndërtimeve pa leje.
Për dy ish-specialistët e zonave në Komisariatin e Sarandës, gjyqtari Shkëlzen Licaj ndryshoi masën nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.
Për ish-shefin e krimeve të Komisariatit të Sarandës, Blerim Tafçiu, u la në fuqi masa “arrest në shtëpi”, ndërkohë që edhe për pronarin e Hotel “Oasis”, Alqi Papa, u la në fuqi masa e sigurisë “arrest në burg”. Ky i fundit akuzohet se ka ndërtuar një kat pa leje në hotelin e tij në rrugën “Butrinti”.
Ndërkohë mbeten në kërkim 4 ish-zyrtarë të IMT Sarandë, 1 ish-oficer policie dhe 3 pronarë objektesh të dyshuar për “ndërtim të paligjshëm”.


