Biznesmeni shqiptar Fatmir Hysenbelliu ka zhvilluar një takim privat me ish-futbollistin profesionist francez, sipërmarrës ndërkombëtar, Mathieu Flamini në Davos, ku prej disa ditësh po mbahet Forumi Ekonomik Botëror, një nga platformat më të rëndësishme globale të rrjetëzimit mes politikës, biznesit dhe inovacionit.
Mathieu Flamini është një nga figurat më interesante të tranzicionit nga sporti elitar, drejt sipërmarrjes globale. Ai rezulton të jetë ish-sportisti më i pasur në botë, duke kaluar edhe Renaldon dhe Messin së bashku, falë sipërmarrjes së tij të krijuar jashtë futbollit. Kompania e tij ka një potencial 20 bilionë dollarë.
I njohur si ish-futbollist i klubeve elitare si Arsenal dhe AC Milan, si dhe ish-përfaqësues i Kombëtares së Francës, Flamini ka ndërtuar tashmë një profil shumë të fortë ndërkombëtar në botën e biznesit.
Pas karrierës së suksesshme sportive, ai bashkëthemeloi “GF Biochemicals”, një kompani që zhvillon biokimikate të gjelbra si alternativa ndaj përbërësve tradicionalë të bazuar në naftë. Kompania ka fokus në teknologji për produkte më të qëndrueshme dhe ulje të emetimeve.
Flamini është përmendur si kontribuues i Agjendës në World Economic Forum dhe përfshihet në listën e “Young Global Leaders” të WEF, një program i Forumit Ekonomik Botëror që nderon profesionistë të rinj me ndikim të lartë potencial.
Ai gëzon gjithashtu një rrjet të gjerë kontaktesh që përfshin liderë politikë, investitorë strategjikë dhe drejtues të korporatave globale, duke qenë i pranishëm rregullisht në forume elitare si Forumi Ekonomik Botëror në Davos.
Gjatë bisedës mes Hysenbelliut dhe Flaminit, u diskutua mbi mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, duke dakordësuar parimisht nisjen e një bashkëpunimi mes “Hysenbelliu Group” dhe Mathieu Flaminit, me fokus në projekte inovative dhe iniciativa të qëndrueshme zhvillimi.
Takimi u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të Forumit Ekonomik Botëror, në një frymë shkëmbimi idesh dhe ndërtimi partneritetesh, në një ambient ku bashkohen figura me ndikim global nga fusha të ndryshme.


